Nga Aleksandër CANGONJA
Durrësi i periudhës së post Kongresit të Lushnjës ishte një qytet i cili njëlloj si Vlora ishte çliruar nga italianët por ndryshe nga Vlora u çlirua pa luftë. Qyteti deri në momentin kur Kongresi i Lushnjës përfundoi punimet e saja ishte një territor i cili kontrollohej nga italianët të cilët me anët të një postoblloku tek “Ura e Dajlanit” kontrollonin gjithë hyrjet e daljet. Ky ishte dhe një nga arsyet e forta pse Durrësi nuk vazhdoi të qenurit kryeqytet i vendit dhe ja kaloi stafetën Tiranës, kjo dhe për shkak të klaneve të forta politike të cilat edhe mbas çlirimit të Durrësit vazhduan dhe mbajtën Tiranën si kryeqendra e vendit.
Vdekja e kryebashkiakut Mihal Truja
Me largimin e austro-hungarezëve nga qyteti dhe ardhjen e italianëve u vendos dhe kryetari i ri i Bashkisë, ai do ishte tregtari durrsak Mihal Truja. Këtë detyrë Mihali do ta mbante nga vjeshta e vitit 1918 deri në ditë ku ndërroi jetë 20 Korrik 1920. Me këtë rast qyteti ngeli pa administratorin e saj, Prefekti i asaj kohe Rexhep Jella një personazh energjik i cili ka kontribute në administratën publike njofton Ministrin e Brendshëm Ahmet Zogun me datë 24 Korrik 1920 ku e njofton se:
Së ndershmes Ministriës së Punvet të Mbrendshme.
Si kundër edhe dje kam ba me dijtë Zotnien t’uej me 23 t.k.m vdiq Z. Kryetari i Perlimtares Mihal Truja. Mbas vdekjes tij pë mos me lanë pa njërie atë post i cili asht me randësië emnova përkohësisht zavendës deri sa të epet urdhën tjetër Z. Dr. Neki Libohovën. Zotnia e tij asht mjekës i vjetër i kësaj Perlimtare dhe sa herë ka mungue Kryetari kjo detyrë i-u ka pasë ngarkue këtij Zotnië. Tani lutena Zotniës suej të na diftoni masat që duhet të marrim dhe të na epni urdhënin e nevojshëm pë emnimin e Kryetarit t’rië. Me këtë rastë lutena Z. s’uej t’urdhënini edhe emnimi e Kryetarit të Perlimtares së Shijakut.
Pritni nderimet t’ona shumë të nalta.
Prefekti
Yella.
Mbas këtij komunikimi përkohësisht kryetar ishte emëruar doktor Neki Libohova një nga figurat intelektuale të qytetit i cili kishte kontribute edhe në ç’ështjet kombëtare përpara pavarësisë. Ndërkohë Rexhep Jella i kërkon Bashkisë që ti dërgojë listën me personat të cilët kanë kandiduar dhe kanë marë vota në zgjedhjet e fundit. Bashkia do i kthente përgjigje me datën 11 gusht 1920 Prefektit ku do e informonte rreth emrave të kandidatëve dhe numrit të votave që këta kandidatë kishin grumbulluar. Përgjigja Bashkisë është si mëposhtë:
TE NDERSHMES ZYRES PREFEKTURES NË QYTET.
Durrës me 11.8.1920.
Këtu pason përgjegjëja e shkresës Z.s.J N.1769. me datë 11.8.1920. Ku na kërkohen zgjedhjet e vjetra për Kryetar të Perlimtares, të cillat po i tregoin ma posht.
Emni mbi emni Sasija e fitimit të Vatës
Hysein Eff. Kruja 84
Kristaq Zaggurida 73
Ymer Eff. Bishçeviç 68
Ismail Aga Beshiri 62
Adem Eff. Dermani 60
Ismail Eff. Beja 60
Mehmed Eff. Gruda 57
Jusuf Eff. Beja 52
Mbas vdekjes ish Kryetarit M.Truës, këto Zotnië do të jenë për Antar të Këshillës Perlimtares.
Me nderime
Zav. i Kryetarit Perlimtares
Dr. Neki Libohova.
Insistimi i Rexhep Jellës, dhe dëshira e tij për Kost Paftalin si Kryetar i Bashkisë së Durrësit.
Ndërkohë që Durrësi vazhdonte akoma pa një kryetar bashkie, Prefekti i Durrësit Rexhep Jella vazhdonte insistimin e tij kundrejt Ministrisë së Brendshme por edhe Antarëve të Këshillit të Naltë, konkretisht Mihal Turtullit për emërimin e kryetarit të Bashkisë. Një prej shkresave të drejtuar Ministrisë Brendshme dhe Mihal Turtullit mban datën 19 gusht 1920 ku thuhet ku shprehet qartëshit dëshira e Prefektit Jella për një emër jasht atyre të Këshillit Bashkiak, dhe ai emër do ishte ai i Kost Paftalit, Inxhinierit i cili do bëhej më vonë kryetar Bashkie. Shkresa për emërimin e Kost Paftalit:
“Shumë herë ju kam shkrue Shkëlqesiës s’uej tue ju diftue motive për mbi emnimin e Kryetar të Perlimtaret këtu në Durres energjik me ideale të reja si lypë shekulli i sotshëm. Për mbrapmën e herë kam nderin me ju paraqitë Shkelqesiës s’uej qi i vetmi njeri qi mund t’a kompletojë nji këte punë në Durrës asht Z. Paftali ingjinier në Durrës. Z. së tij shumë herë deri tash i kam thanë por nuk e ka pasë pranue për disa shkaqe qi edhe unë i kam pasë dhanë të drejtë; mramë ora 8 thirra Z. e tij në shtëpinë t’eme ku ishin edhe disa njerz të kuptueshëm të Qytetit, mbas nji argjëmenti qi bana me të më dha fjalën se ka m’e pranue.”
Gjithsesi Jella vazhdon me kërkesat ndaj Ministris së Brendshme njëra prej tyre mban datën 23 gusht 1920 e cila vijon si më poshtë:
Durres me 23.VIII.920
Se Ndershmes
MINISTRIES SE PUNVET TE MBRENDSHME.
Marrë nderin t’ju bajë të njoftin Z.tuej se, Perlimtareja e Durrësit tue qene e zanja e t’ardhunave të përvitshëm të nji shumë L.It. 600.000. nuk asht kujdesue për mbushjen e detyrës plotësisht qi tue marrë para syesh shpenzimet ndaj të ardhënave të fillojë në sbukurim ene pastërtim të qytetit. Përkundrazi ka shkaktue çfaqjen e gjithë farë llojë smundjeve ngjitare malarike, tue i-a përpië gjakun e qytetasve. Po shofim se Perlimtaret e tjera Prefekturave, tue mos pasë në dorë nji të ardhun kaq të tepër por nga energjia e zotsija e Kryetarvet janë tue përmbushë nevojat e popullit e janë tue u kujdesue ma tepër shumë herë se kjo e Durrësit. Asht e tepër me tregue se pozisjoni Gjeografik e në pikpamje Istorike e tregtije ky qytet ka nji randësië të posatshme tue qenë e vetmja shtek qi reshperojnë të hujët për mbrenda Shqipniës. Prandaj e shofë të arsyeshëm pasjen e nji Kryetarit të Përlimtares të Zotin qi të kujdesohet në çdo mënyrë tue përmbushë nevojën qi ka se jamë i bindur qi të ardhurat mund do të të kapin nji shumë prej 1.000.000. Frangavet. Pra tue u mbështetë këtyne pikave qi janë të nevojshëm për pranim, i lutem asaj të ndershmes Ministrië qi jo të pranojë emnimin e Kryetarit së jashtmi drejtë për drejt nga ana e Qeveriës se kundër ju kam shkrue edhe ma parë, ose të epet urdhën për emnue nji tjetër si mbas rregullës.
Pranoni lutem sigurimet e nderitmit t’em shumë të nalt.
Prefekt’i Durresit
Yella.
Zogu zgjedh Mehmet Grudën Kryetar të Bashkisë së Durrësit.
Mbas disa herë kërkesash të Prefektit të Durrësit ndaj Ministrit Ahmet Zogu vjen dhe shkresa për emërimin e ri të Bashkisë, ai do ishte Mehmed Gruda i cili vinte nga Këshilli i kësaj Bashkie dhe nga zgjedhjet e kaluara kishte dalë i parafundit në rënditje me 57 vota. Më poshte shkresa e Ministrisë së Punëve të Brendshme e datës 28 shtator 1920:
Prefekturës së Durrsit
Pergjegje e letrës s’uej Nr.2495 19.9.20
Z.Mehmed Gruda u emnue prej kesajë Ministrije si zavendës i Kryetarit të Perlimtares s’ atjeshme. Andaj jeni të porositun qi t’i dorëzoni zyrën ene aktet e zyrës së permendun. Për nji herë të na lajmroni edhe datën e fillimit të tij në punë.
Perfundimi pritet.
28.IX.920.
Ndërsa me date 29 shtator 1920 Prefekti I pergjigje Ministrise se: Marrë nderin t’u lajmerojë Z. tuej se Zavendsi I Kryetarit Perlimtares së Durresit Z. Mehmet Gruda filloi me datë të sotshme në krye të detyrës.”






