Presidenti Ilir Meta ka vendosur të pezullojë shqyrtimin e listës së kandidaturave për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Në një letër dërguar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, kryetarit të KED-së Ardian Dvorani dhe Avokates së Popullit, kreu i shtetit argumenton se Presidenti i Republikës nuk mund të shqyrtojë dhe emërojë dy kandidatura njëherësh.

Për këtë arsye, shpjegon Meta, nuk mund të shqyrtojë listat e dërguara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pa përfunduar procesi i emërimit të gjyqtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, kandidaturë që është në proces dhe që duhet të votohet nga Kuvendi brenda datës 13 nëntor.

“Vetëm pasi të shterohet dhe të zgjidhet kjo çështje paraprake, (pra, emërimi i anëtarit të dytë nga Kuvendi) e cila sipas afatit kushtetues, duhet të përfundojë brenda datës 13 nëntor 2019, atëherë Presidentit të Republikës i lind detyrimi dhe mund të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për emërimin e anëtarit tjetër të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti ka arritur në përfundimin se shqyrtimi në themel i propozimeve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk mund të realizohet në këtë moment, pasi aktualisht sipas nenit 179, pikat 2 dhe 12 të Kushtetutës, si dhe neneve 7 pika 2 dhe 86 pika 4 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, është radha e Kuvendit të Shqipërisë që duhet të shprehet për zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese.

Për këtë shkak, Presidenti i Republikës, bazuar edhe ne nenin 66 të KPrA-së, pezullon procedurën administrative, pasi është në pengesë kushtetuese dhe ligjore të veprojë deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga ana e Kuvendit mbi çështjen e zgjedhjes së anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 125 pika 2 dhe 179 pika 2 të Kushtetutës, dhe nenit 86 pika 4 të ligjit nr.8577/2000”, shkruan Presidenti Ilir Meta në letrën e tij.

Ilir Meta saktëson se anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese përzgjidhet nga Presidenti, i dyti nga Kuvendi dhe i treti nga Gjykata e Lartë.

“Presidenti i Republikës, pasi shqyrtoi praktikën e përcjellë nga Këshilli I Emërimeve në Drejtësi (KED), me dekretin nr. 11313, datë 15.10.2019, ka përzgjedhur dhe emëruar zotin Besnik Muçi, si gjyqtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese. Në datë 18.10.2019, ora 18:00, gjyqtari Besnik Muçi u betua përpara Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dhe, që prej atij çasti, gjyqtari i parë i Gjykatës Kushtetuese është në detyrë. Ndërkohë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në po të njëjtën ditë, në datë 08.10.2019, nëpërmjet shkresës nr. 553 prot., datë 08.10.2019, ka përcjellë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës edhe “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019”. Kjo praktikë dokumentare është administruar nga Institucioni i Presidentit me nr. 3535, datë 08.10.2019. Dokumentacioni i mësipërm i referohet plotësimit të vendit vakant të krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të ish-gjyqtares Altina Xhoxhaj. Mandati i rregullt kushtetues i ish-gjyqtares Xhoxhaj përfundonte në datën 25.05.2019 dhe, sipas parashikimeve kushtetuese e ligjore, i përket për plotësim Presidentit të Republikës. Krijimi i kësaj vakance i është njoftuar Presidentit të Republikës nga Gjykata Kushtetuese me shkresë nr.79 prot., datë 25.02.2019 dhe është shpallur nga Presidenti për aplikim me dekretin  nr. 11133, datë 04.03.2019. Siç del qartë nga informacioni i përcjellë nga KED-ja, rezulton se Kryetari i KED-së, në të njëjtën datë 08.10.2019, ka realizuar procesin administrativ të dërgimit të listave pranë Presidentit të Republikës për plotësimin e 2 (dy) vakancave njëherazi. Nuk rezulton që KED-ja, në mënyrë kolegjiale, të ketë marrë ndonjë vendim për mënyrën dhe kohën e dërgimit të listave pranë organeve të emërtesës, por ky veprim administrativ është kryer nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili sipas nenit 226 pika 2/e, të ligjit nr.115/2016, ka si funksion vetëm të nënshkruajë aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes dhe t’ia përcjellë ato organit të emërtesës”, shprehet Presidenti Ilir Meta në letrën e tij.