Presidenti i vendit, Ilir Meta ka shpallur ditën e sotme hapjen e procedurave për vakancën në Gjykatën Kushtetuese.
Vendi vakant krijohet pas përfundimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Përparim Kalo, në prill të këtij viti.
Në njoftimin e Presidencës thuhet:
Presidenti i Republikës, pasi u njoh me njoftimin e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese nr.11 prot., datë 07.01.2022, me Dekretin nr. 13 413, datë 13.01.2022, ka miratuar:
Shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me qëllim plotësimin e “Vakancës së plotë”, me mandat 9-vjeçar, që krijohet më datë 08.04.2022.
Presidenti i Republikës fton çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në Kushtetutën e vendit, nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të marrë pjesë në këtë procedurë të konkurrimit të hapur publik, për vakancën e mësipërme, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe të paraqesë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës dokumentacionin përkatës.
Gjyqtari i Gjykatës Kushtuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:
a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
b) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;
c) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;
ç) të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;
d) të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.
Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të plotësojë edhe këto kritere:
a) të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;
b) të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;
c) të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.
Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:
a) vjetërsisë në profesion;
b) përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;
c) kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;
ç) treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;
d) ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;
dh) informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.
Afati i paraqitjes së kërkesës me dokumentacionin e nevojshëm, është brenda datës 04 shkurt 2022.