16 maj 2015 – Me afrimin e datës së zgjedhjeve kryelajmi i jetës së përditshme të durrsakëve janë bërë aktivitetet e ndryshme të dy kandidatëve për kryebashkiak, Duma-Shqinës dhe Dakos. Takime me elektoratin, përurime, akuza, premtime etj, etj, etj kjo është “oferta” mediatike për veshët dhe sytë e durrsakëve këto ditë.

Fatmirësisht Vakëfi islamik turko-shqiptar këtë të shtunë ofroi një risi. Në sheshin ‘Liria’ në rikonstruksion e sipër, kishte hapur një mini-panair. Vizitorë të shumtë frekuentonin pavionet e këtij minipanairi. Në të gjeje, nga librat kryesisht për aspekte të ndryshme të fesë islame e deri te gatimet karakteristike të guzhinës turke si qoftet, donerët, dollmatë etj. Muzika orientale me motive fetare islame kombinonte mjaft mirë me palmat e mbjella rishtazi në shesh, që më kujtuan pushimet verore në Hammamet e Tunizisë vite më parë.

/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/