“Premtimi i hedhjes në treg të vaksinave COVID-19 është çelësi i ndryshimit të situatës aktuale”, tha të enjten drejtori Evropian i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Hans Kluge, një ditë pasi Britania u bë vendi i parë perëndimor që miratoi vaksinën.
Britania aprovoi vaksinën COVID-19 të Pfizer, të zhvilluar me BioNTech të Gjermanisë, duke tejkaluar botën në garën për të filluar programin më të rëndësishëm të vaksinimit masiv.
Duke folur nga Kopenhagen, Kluge tha se furnizimet e vaksinave do të jenë të kufizuara në fillim dhe se vendet duhet të vendosin se kush merr përparësi për përdorimin e tyre. OBSH përmendi marrëveshjen e rëndësishme që marrësit e parë të vaksinës të jenë të moshuarit, mjekët dhe njerëz me sëmundje bashkëshoqëruese potencialisht të rrezikshme, raporton Reuters.
“Koronavirusi ka potencialin për të bërë dëme të mëdha, por e ardhmja duket më e ndritur,” tha Kluge, pasi kandidatët e tjerë të vaksinës, përfshirë Moderna dhe AstraZeneca, gjithashtu kanë dhënë rezultate pozitive të provës dhe efektshmëri të lartë.
Një zyrtar i OBSH-së tha se Agjencia Evropiane e Barnave i ka kërkuar Britanisë të tregojë dokumentet që përdori në miratimin e vaksinës për të ndihmuar në përshpejtimin e vlerësimit të vaksinave.
OBSH tashmë ka marrë të dhëna nga Pfizer dhe BioNTech mbi vaksinën dhe po i rishikon ato për një renditje të mundshme për përdorim emergjent, gjë kjo që mund të jetë pikë referimi për përdorim nga shtete të tjera.