Pas tre vitesh aplikim tek vajzat, pas 2 muajsh vaksina HPV, ose siç njihet ndryshe vaksina që mbron nga infeksioni i virusit të papillomës njerëzore, do të nisë të aplikohet edhe tek djemtë, përpara se ata të përfshihen në aktivitet seksual.

Përgjegjësja e programit kombëtar të vaksinimit në ISHP, Rovena Daja thotë se nga janari i 2026, të gjithë djemtë që mbushin 13 vjeç do të vaksinohen ndaj HPV.

“Vaksina ndaj HPV është futur që në vitin 2022,  dhe janë vaksinuar vajzat 13 vjeçe,  sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit, por për shkak të kërkesës, ne kemi organizuar edhe një fushatë shtesë vaksinimi. Gjatë vitit 2024-2025, vaksina është aplikuar edhe tek vajzat 14-20 vjeç. Gjatë vitit 2025 vaksinojmë vajzat 13 vjeçe dhe deri tek ato 20 vjeçe. Për shkak të problemeve që shkakton edhe tek meshkujt, sipas rekomandimeve  ndërkombëtare, të gjithë djemtë që do të mbushin 13 vjeç në janar 2026 do të vaksinohen ndaj HPV”, tha Daja.

Por çfarë parandalon vaksina HPV?

“Ne kemi vendosur që ta aplikojmë edhe tek djemtë, pasi edhe djemtë janë mbartës, transmetues, tek ta kemi kancerin e faringut që shkaktohet nga human papilloma virus, kemi kancerin e traktit gjenital. Edhe djemtë janë të riskuar nepërmejt HPV, sepse shkakton lytha gjenital, kancer. Mirë eshtë, që ata para se të ekspozohen ndaj HPV, gjatë jetës së tyre duhet të aplikojnë përpara. Tek vajzat parandalon kancerin e qafës së mitrës, pasi është virus, shkaktar i kancerit të mitrës. Vaksina HPV krijon mbrojtje gjatë gjithë jetës, dhe eviton edhe lythat gjenital”.

Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, për aplikimin e vaksinës HPV edhe tek meshkujt, është marrë praktika e vendeve të Bashkimit Europian.

Përveç Rumanisë, të gjitha vendet e BE-së aplikojnë vaksinën HPV tek meshkujt.

“Nga 27 vendet e Bashkimit Europian, 26 prej tyre e kanë vaksinën e HPV tek djemtë dhe vajzat. Kjo, duke patur parasysh të mirat që ka vaksina tek djemtë”.

Aktualisht, 45 mijë vajza mbi 13 vjeçe janë vaksinuar ndaj HPV. Kanceri i qafës së mitrës është lloji i dytë më i zakonshëm i kancerit tek gratë, pas kancerit të gjirit, dhe shkakton vdekjen e rreth 250,000 grave çdo vit.

Ky kancer shkaktohet pothuajse tërësisht nga viruset Human Papillomavirus (HPV). /tvklan