Nga Artur Zheji
Marshalli kërkon ti fitojë zgjedhjet me çdo kusht! Duket qartë që nuk jeton dot pa pushtet, duket qartë që nuk mund të ketë një jetë tjetër në koordinatat e tija egzistenciale, përveç kësaj jete që ka!
Mirëpo ky është problemi i Marshallit dhe meqë është problemi i Marshallit, Ay, bën ç’është e mundur, që të shndërrohet edhe në problemin tonë popullor…
Nga “biri plangprishës” i ish elitës komuniste, që sfidonte me xhinse dhe me sy të zgavruara nga jeta e natës, politikën e burokratëve të hekurosur të të “Kuqve bolshevikë” dhe demode, Ay, Marshalli pra, po kolaudon elektoralisht në publik, një personazh tjetër…
Sot pra, Ay, vetëpropozohet, si “Babloku i popullit”, si kujdestari zemërdhimsur i tij…
Dhe e luan këtë rolin e Bablokut zemërpulë, mrekullisht, ky Marshalli, sot me petk Kujdestari të mbarë popullit e përtej vetë popullit!
Dhe unë tek e shoh gjatazi dhe gjërazi, në kohë dhe në hapësirë, për shkak të punës që bëj si gazetar, shpesh rrëmbehem e mallëngjehem, nga interpretimi i tij mjeshtëror!
Porse zgjohem idhtas, kur kujtoj konçesionet, dhe shpërdorimet e thesarit të Popullit, përmes tenderave të paturpshëm për nga guximi i vjedhjes!
Kur më dalin para sysh, milionat e trasha të eurove për një kilometër, llokmat e rënda që rrëmbejnë Oligarkët nga dora e Marshallit, sot “zemërdridhur”!…
Duke futur thellë duart në xhepat e çpuar, pikërisht të atyre që sot mbajnë rradhën plot ankth, për tu vaksinuar, me vaksinën kineze
Sepse, nëqoftëse nuk e keni harruar, ka ligje të rrepta edhe për vaksinimin e bagëtisë, pavarsisht se ajo, pasi trashet ca nga dhjamët, shkon duke blegëritur nën zë, për t’u therrur…
Te ne, logjika është pak ndryshe! Duan të të mbajnë gjallë sa të munden, që të të mjelin, për sa kohë je gjallë…
A do të na japë begatinë dhe mbijetesën e dëshëruar, vaksina kineze sot?
Ashtu si dikur na jepte krenari dhe pallëzhveshje të trimëruar, në udhëkryqin e kohërave kombinati metalurgjik në Elbasan, Çeliku i Partisë?
Ku i dihet?!
Ndoshta një Pallëzhveshje e Re, na pret, me Marshallin në krye!
Dhe ne shqiptarët e trimëruar nga vaksina kineze dhe nga udhëheqja e Marshallit sypatrembur, mund ti themi nesër, edhe Perëndimit mbarë se: “Marshalli e mprehu shpatën edhe njëherë/ Për situatën!…”
Ne jemi një popull që i kemi pasion të pavetëdijshëm, edhe për eksperimentet më të çuditëshme sociale…
Lum ne! /360grade.al