Një studim i ri i kryer në Turqi nga Universiteti Xhelal Bajar i Manisës, që shquhet për kërkime shkencore në fushën e mjekësisë, tregon se vaksina e firmës kineze Sinovac krijon mbrojtje ndaj COVID-19 tek mbi 97% e të vaksinuarve. Sipas mediave turke kjo vaksine krijon imunitet të lartë sidomos tek femrat në 99.2% të rasteve ndërsa tek meshkujt, ky nivel ishte 3.5% më i ulët dhe arrinte një mbrojtje prej 95.7%.
Për kryerjen e këtij studimi u përpunuan analizat e anti-trupave të më shumë se 1 mijë vullnetarëve të cilët u vaksinuan me të dyja dozat e Sinovac nga data 11 Janar periudhë në të cilën nisi vaksinimi deri më datën 28 Mars. Keto nivele imuniteti u arritën 28 ditë pas dozës së dytë. Me injektimin e dozës së parë vetëm 29.5% e femrave dhe 18.6% e meshkujve krijonin anti-trupa të mjaftueshëm për t’i bërë ballë infektimit me koronavirus.
Të dhënat më të fundit tregojnë se nga 17 milionë dozat që Turqia ka pasur në dispozicion për vaksinimin deri më tani, mbi 84% e tyre janë nga firma kineze Sinovac.