Fjalimi i sotëm i ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu lidhur me vaksinimin anti-Covid në vend ka sjellë edhe reagimin e ekspertit të shëndetit publik, Erion Dasho.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dasho e quan tallje me shqiptarët mënyrën se si qeveria po sillet.
Sipas Dashos, teksa në vend mungojnë vaksinat, qytetarët vazhdojnë të mashtrohen me përrallat parlamentare dhe stadiumin ku luhet një ndeshje e turpshme elektorale.
Dasho ndalet edhe tek çmimi i vaksinës. Teksa i referohet shifrës që dha sot në parlament ministrja Manastirliu, 2.9 milionë euro, eksperti shprehet: “Nëse është parapaguar për 40,000 dozat që do të vijnë në janar-shkurt, çmimi i bie të jetë 72.5 dollarë për dozë çka do të ishte një rrjepje pasi Izraeli, vendi që ka paguar më shtrenjtë se gjithë të tjerët për vaksinën, e ka blerë atë me 28 dollarë për dozë”.
Postimi i plotë i mjekut:
PESHKU NË DET, TIGANI NË ZJARR!
Kuvendi vazhdon të habisë. Sot ministrja Manastirliu harroi “betimin” e bërë nga shefi i vet para Pfizer-it dhe deklaroi se i janë paguar 2.9 milion dollarë kompanisë së sipërpërmendur (deri para pak ditëve ky fakt ishte klasifikuar si sekret shtetëror). Ajo që nuk sqarohet është se për sa doza është paguar.
Nëse është parapaguar për 40,000 dozat që do të vijnë në janar-shkurt, çmimi i bie të jetë 72.5 dollarë për dozë çka do të ishte një rrjepje pasi Izraeli, vendi që ka paguar më shtrenjtë se gjithë të tjerët për vaksinën, e ka blerë atë me 28 dollarë për dozë.
Nga ana tjetër, në se është paguar 2.9 milion dollarë për gjithë sasinë atëherë çmimi do të ishte 5.8 dollarë pë dozë, një çmim super i leverdisshëm, për të cilin qeveria meriton përgëzimet dhe vlerësimet e gjithë qytetarëve.
SIGURISHT QË KËTO DETAJE TË “VOGLA” U ANALSHKALUAN NGA MINISTRJA NË KUVEND…
Ndërkohë dje, Presidenti i ka dhënë autorizimin Ministres së Shëndetësisë dhe Ministrit të Rindërtimit (e çuditshme lidhja e rindërtimit me vaksinën!!!) të negocijojnë direkt me kompanitë prodhuese.
Në vend që të shfrytëzojë këtë tagër dhe të rrahë tregjet ndërkombëtare, ministrja raporton si “sukses” faktin që shumë muaj më parë u nënshkrua një tjetër marrëveshje me COVAX. Duke bashkuar 1.1 vaksinat e COVAX-it dhe 500 mijë vaksinat e Pfizer-it, ministrja shpall të zgjidhur me sukses çërshtjen e vaksinimit!
Qytetarëve shqiptarë edhe mund t’u kursehet kjo tallje!
Vaksinat janë akoma lëndë e parë dhe ekzistojnë vetëm në librat kontabël të Pfizer-it dhe COVAX-it, kurse Parlamenti shqiptar i numëron ato si të siguara për qytetarët!
Në fakt, peshku në tigan që kanë qytetarët shqiptarë janë 11 vaksinat e kontrabandës që ju administruan dje grupit të radhës të show-t qeveritar!
Duke pritur që vaksinat peshq që kalojnë nga detet e kompanive farmaceutike, në tiganët e shtetit shqiptar, qytetarët vazhdojnë të mashtrohen me përrallat parlamentare dhe stadiumin ku luhet një ndeshje e turpshme elektorale.
Zonja ministre,
Spitalet rajonale po mbushen plot! Vala e radhës së COVID po sëmur me qindra shqiptarë në ditë dhe po merr me qindra jetë në muaj! Shto testet, bëj gjurmimin e rasteve dhe mos i lër shqiptarët të vdesin në shtëpi!
Mbi të gjitha ndaloje talljen me qytetarët shqiptarë!
Ata nuk e meritojnë…





