Ashtu siç u njoftua një ditë më parë, këtë të martë nis fushata e vaksinimit për mësuesit në Durrës.

Procesi i vaksinimit do të realizohet në sallën “Black box” në shkollën “Jan Kukuzeli”, ku prej të hënës kanë nisur përgatitjet për vendosjen e logjistikës së nevojshme.

Drejtoresha e ZVA Durrës, Jonida Matohiti konfirmon për “DurrësLajm” se sot do të marrin dozën e parë të vaksinës 220 mësues të shkollave: “Jan Kukuzeli”, “Shaqe Mazreku”, “Nënë Tereza”, “Marie Kaçulini”, “Kushtrimi i Lirisë”, “Dom Nikoll Kaçorri”, “Shkolla e Re” “Hasan Koçi”, “Vasil Ziu”, “Besnik Hidri”.

Matohiti shprehet se drejtuesit e shkollave që kanë grafikun janë njoftuar se çdo mësues të ketë formularin me vete. Vaksinimi pritet të nisë në orën 13.30 dhe orari është përzgjedhur i tillë në mënyrë që të mos dëmtohet procesi mësimor.

Arsimtarët që do të vaksinohen nga sot dhe në vazhdim kanë pranuar me vullnet të plotë të bëhen pjesë e këtij procesi.