Kryeministri Edi Rama ndodhet në Golem nga ku ka deklaruar se në muajin qershor, punonjësit e hoteleve në vend do të jenë të vaksinuar, për të nisur një sezon turistik të lehtësuar nga situata e shkaktuar prej infektimeve me koronavirus.

Rama tha se po bëhen gati numrat e punonjësve për të gjithë operatorët turistikë, që ky proces të nisë menjëherë sapo të mbarojë vaksinimi i të moshuarve që po vijon aktualisht.

“Me vaksinimin masiv ne jemi shumë të bindur që do e këpusim zinxhirin e infektimeve në shumë pjesë e do hapim rrugën për një sezon turistik goxha të lehtësuar. Kemi plan që të mbështesim sapo të kryhet kjo faza e parë e moshave më të prekshme nga armiku i padukshëm, të bëjmë vaksinimin e punonjëseve dhe punonjësve në fabrikat me material porositësi dhe njëkohësisht zinxhirit të punonjësve të hoteleve sidomos aty ku ka edhe masë njerëzish. Bledi, ministri po merret se më ka çuar informacion me numrat me fashat për të gjithë operartorët, po bëjmë gati tabelën e numrave dhe sapo të kalojmë këtë fazë të parë besoj nga maji, ne do jemi gati që në qershor kur ju keni dhe fillimin e flukseve kjo gjë të jetë kryer.”, tha kreu i qeverisë.