Eksperti i sëmundjeve infektive ne SHBA, Anthony Fauci, ka marrë sot, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, të prodhuar nga Moderna. Fauci është vaksinuar në Bethesda, Maryland.
Ndërsa i injektohej doza e parë, Fauci shpjegoi pse është shumë e rëndësishme që të vaksinohej në prani të të gjithëve.
“Si një simbol për pjesën tjetër të vendit që unë ndiej besim të jashtëzakonshëm në sigurinë dhe efikasitetin e kësaj vaksine, dhe dua të inkurajoj të gjithë ata që kanë mundësi të vaksinohen në mënyrë që të kemi një mbulesë mbrojtjeje mbi këtë vend që do t’i jepte fund kësaj pandemie”, tha Fauçi.
Para së të vaksinohej, Fauci tha se e konsideron “një nder” faktin që është pjesë e këtij procesi, ndërsa e konsideroi vaksinën një arritje të jashtëzakonshme shkencore.
“Ajo që ne po shohim tani është kulmi i viteve të kërkimit që kanë çuar në një fenomen që ka qenë me të vërtetë i pashembullt,” shtoi Fauci.
Këtë mëngjes u vaksinuan në SHBA drejtori i Instituteve Kombëtare të Shëndetit Dr. Francis Collins, Sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar dhe gjashtë punonjës të tjerë shëndetësorë.
Sipas Faucit, vaksinat do të fillojnë të dalin për publikun në pranverë, ku çdokush do të mund të vaksinohet, pa qenë pjesë e listës prioritare. Megjithatë ai shtoi se do të duhen tre apo katër muaj që të mund të vaksinohen shumica e njerëzve.
SHBA ka filluar vaksinimin prej disa ditësh, ndërsa Europa dhe Mbretëria e Bashkuar ndodhen në ethet e llojit të ri të koronavirusit të zbuluar në Angli.





