Londër – Tridhjetë vjet më parë, Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e vet dhe Britania e Madhe sapo kishte dalë nga kthetrat e recesionit. Mbase këta faktorë shpjegojnë se pse, tash një javë në vitin 1982, kur 119 delegacione qeveritare zgjodhën të nënshkruajnë Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e detit (UNSLOS), me Britaninë si një prej tyre.
Sipas Donald Rumsfeld, kryeministrja e atëhershme britanike, Margaret Thatcher, deklaroi se UNCLOS “ishte asgjë më pak se sa nacionalizimi ndërkombëtar i përafërsisht dy të tretave të sipërfaqes së Tokës”.
Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, kur Britania më në fund aderoi në UNCLOS nën qeverinë laburiste, konventa po aplikonte, për të parën herë në histori, një kornizë ndërkombëtarisht të pajtuar ligjore për shumicën e ujërave bregdetare përreth botës. Të drejtat e shteteve për peshkim, minerale dhe resurse të tjera ishin sanksionuar në ligj, me shkeljet që do të nxisin rritje të përçarjeve. E drejta për kalim të mirë në dete ishte siguruar.
Britania dhe shtetet e tjera tani duhet të nxjerrin mësim, e jo të përsërisin, gabimin e Qeverisë Thatcher. Një debat i ri po lind rreth asaj se si qeverisim dhe ushtrojmë kujdestarinë mbi dete – 45-përqindëshin e sipërfaqes së Tokës që shtrihet përtej juridiksioneve kombëtare.
E dimë se një burim i krizave të nivelit të paparë po afrohet. Çmimet e mallrave janë rritur dukshëm gjatë dekadës së fundit. Detet mund të ofrojnë ushqim, minerale dhe resurse të tjera për teknologji dhe mjekësi. Mirëpo dobësia e regjimit aktual qeverisës, e mishëruar me peshkimin e shfrenuar ilegal, të parregulluar dhe të paraportuar kërcënojnë të rrezikojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë globale, të cilave mund t’i kontribuojnë oqeanet e menaxhuara.
UNCLOS është një simbol i bashkëpunimit, i kompromisit dhe i së drejtës ndërkombëtare globale, që mori 20 vjet për t’u krijuar. Dështimi i Senatit amerikan për ta ratifikuar atë i shërben vetëm forcimit të rastit kundër kapacitetit të Amerikës për lidership global. Mirëpo UNCLOS duhet të evoluojë në rast se dëshiron që të përballojë sfidat e shekullit të njëzetenjëtë.
Më 1982, flotat e peshkimit nuk kishin teknologji për të peshkuar në mes të oqeaneve. Vetëdija jonë për rolin vendimtar të oqeaneve në mbrojtjen nga ndryshimet klimatike ishte ende në fillimet e saj. Pasuritë minerale të oqeanit nuk ishin kuptuar aq mirë.
Sot, Organizata e OKB-së për Ushqim dhe Bujqësi raporton se më tepër se tri të katërtat e rezervave botërore të peshkut ose janë të shfrytëzuara plotësisht apo të mbishfrytëzuara, derisa disa peshq më të mëdhenj që i konsumojnë kanë rënë në më pak se 10 për qind të nivelit të tyre historik. Çdo vit, flotat e peshkimit shpenzojnë gjithnjë e më shumë para – shumica e të cilave janë ndarë nga subvencionet qeveritare – në përpjekje për të kapur gjithnjë e më shumë peshq. Mirëpo dështojnë, për shkak se rezervat nuk janë më aq të mëdha.
Banka Botërore llogarit se vetëm mbipeshkimi i kushton botës 50 miliardë dollarë në vit; dhe atë për popujt më të varfër të shteteve më të varfra – më tepër se një miliard e të cilëve varen nga peshku si burim kryesor i proteinës. Kështu që, ekziston një domosdoshmëri morale po aq sa edhe ekonomike për veprim.
Qeveritë kanë dy përgjegjësi – të udhëheqin për shembull dhe të ndërtojnë aleanca ndërkombëtare dhe marrëveshje që janë të zbatueshme dhe efektive. Duke filluar nga mbipeshkimi dhe pirateria e deri te degradimi i mundshëm i emetimeve të karbonit, nevoja që qeveritë të përmbushin të dyja obligimet kurrë nuk ka qenë më e madhe.
Dy vjet më parë, si sekretar i Jashtëm britanik, i priva procesit të mbrojtjes së oqeanit përreth ishujve Chagos në territorin britanik të Oqeanit Indian – rajoni më i madh i vetëm detar në botë (i cili mbulon një rajon sa dy herë Britania e Madhe) ku kurrfarë lloji i peshkimit komercial nuk është i lejuar. Speciet e kërcënuara, në mesin e të cilave breshkat, peshkaqenët, rajat, tuna dhe koralet tani janë të mbrojtura aty.
Qeveria aktuale britanike e ka një mundësi të ngjashme për të shndërruar mbi 800.000 kilometra katrorë të Oqeanit Paqësor përreth territorit të vogël bregdetar britanik në Pitcaurn në një rezervë të paprekur detare. Ujërat e Pitcairn janë përplot specie që nuk gjenden askund tjetër: një përkushtim i vendosur dhe i financuar nga Qeveria britanike për t’i mbrojtur ato, me ndihmën e banorëve të ishullit, do ta vendoste Britaninë në majë të ekspertizës në një sektor të rëndësishëm dijeje në të ardhmen.
Qeverisja e duhur në ujërat ndërkombëtare është më e vështirë të arrihet, por është edhe po aq e ngutshme. Shumica e organizatave ndërqeverisëse të angazhuara me menaxhimin e peshkimit në aspektin rajonal në fakt keqmenaxhojnë në mënyrë spektakolare. Vetëm 0.5 për qind e deteve të thella, jashtë juridiksionit kombëtar, janë të mbrojtura. Në mënyrë ironike, në një epokë të garës në rritje të resurseve, bashkëpunimi për t’i rikrijuar rezervat e varfëruara të peshqve faktikisht kanë rezultuar me një ndikim më të madh për të gjithë.
Takimi Rio+20 këtë verë iu afrua nisjes së negociatave për të mbushur boshllëqet në UNCLOS. Veprimi u bllokua, pjesërisht për shkak të po asaj frike të multilateralizmit, që e bëri Qeverinë Thatcher të përmbahej 30 vjet më parë. Mirëpo kjo trashëgimi e Luftës së Ftohtë nuk është e përshtatur me kohën. Derisa të mos e menaxhojnë mbivarshmërinë tonë në mënyrë tejet më efektive, të gjithë do të jemi më të varfër.
Në muajt në vijim, presioni ndërkombëtar për ta kapërcyer këtë krizë do të rritet. Qeveritë, kompanitë dhe individët kanë përgjegjësi t’i dëgjojnë faktet dhe të vendosin për veten nëse janë pjesë e problemit apo e zgjidhjes.
Duke filluar nga kompanitë që shfrytëzojnë rregullat e dobëta dhe shtetet që fshihen prapa definicioneve afatshkurtra të interesave kombëtare e deri te konsumatorët që lejojnë që supermarketet të realizojnë shitje të paqëndrueshme, na duhet një debat i ri për të ardhmen e oqeaneve tona dhe jetën që ato mbështesin.
Përvjetori i UNCLOS-it këtë javë është një rikujtues i gjërave të mëdha që shtetet mund t’i arrijnë kur të punojnë së bashku – dhe i hapave të rëndësishëm që mbesin të ndërmerren.
David Miliband, sekretar i Jashtëm i Britanisë së Madhe gjatë viteve 2007-2010, është anëtar i Parlamentit. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”