Nga Gladiola Busulla

DURRËS, 27 nëntor 2014 –  Profil Qytetar: Valbona Bihiku në "Durrës Lajm".

– Valbonë, si filloi karriera juaj dhe kush e zbuloi talentin tuaj muzikor?

– Zakonisht përgjigja është “prindërit “, ndërsa më mua ka ndodhur ndryshe. Në kopësht kam pasur një edukatore, të cilën e donim shumë të gjithë fëmijët. E ëmbla zonja Elsa ishte ajo që u tha prindërve  se kish vënë re tek unë prirjen për artin.Mbaj mend në atë kohë që më vinte të drejtoja“grupin artistik” të kopshtit dhe seriozitetin, me të cilin punonte me ne. Edhe sot, kur e takoj nuk harroj ta falenderoj për dhuratën e çmuar që më ka bërë. Kështu, prindërit vendosën që unë të studioj në shkollën e muzikës të qytetit (në atë kohë “Mujo Ulqinaku “). Mësueset e mia të para kanë qenë pianistet e mirënjohura Aksinja Xhoja dhe Adriana  Frashëri. E them me plot gojën se kam qenë fëmija më me fat në atë shkollë. Të ishe nxënëse e këtyre artistëve ishte me të vërtetë si të kishe “ lindur me këmishë”. E pra isha një prej të lindurve të tillë.Përulem me veneracion para prindërve të mi të cilët më krijuan të gjitha mundësitë që unë të ndiqja rregullisht studimet. Përkushtimi i tyre më ndjek edhe sot. Ata jetojnë me mua çdo moment të ditës sime. Unë ndaj me ta çdo gëzim apo vështirësi të punës sime me fëmijët! Kështu për 12 vjet,  beteja për të arritur sot, këtu ku jam ishte tepër e vështirë, por edhe më shumë sadisfaksione.  

Mësimdhënia është profesion i bukur, sidomos kur ndërthuret me muzikën. Si funksionon ky binom në jetën tuaj?

– Sipas meje, mësimdhënia nuk është profesion e dashur! Është art ! Arti i të dhënit dije! Përpara se të jetë i bukur është “i panjohur". Asnjëherë nuk dihet fundi.  Jemi të varur gjithnjë nga emocionet. Tonat dhe të vogëlushëve.  Kjo ndoshta e bën të jetë edhe i bukur ! Të qenit gjithnjë mes emocionesh ka bukurinë e vet, sidomos kur këto t’i dhurojnë duart e vogla të fëmijëve,  tek të cilët sheh rrugëtimin tënd. Shpesh i bëj një pyetje vetes, atë që të gjithë në periudha të veçanta të jetës e kanë bërë: “Ku do të isha sot, nëse nuk do të isha bërë mësuese ? “. Askund nuk më shpie imagjinata, përveçse në mes të nxënësve të mi, fëmijëve të mi, pa të cilët unë nuk do të isha UNË !Unë dhe fëmijët në rrugën tonë jemi NJË!  

      – A mendoni se qyteti i Durrësit është mjaftueshëm i ndjeshëm ndaj muzikës klasike?

– Durrësi nuk është i pandjeshëm ndaj artit dhe sidomos ndaj muzikës klasike. E tregojnë këtë emrat e artistëve të qytetit që nga P . Dungu , F. Ibrahimi, A Xhoja, V. Caku etj., e deri tek më të rinjtë të cilët vazhdojnë rrugën e mundimshme, por të bukur të artit klasik.Le të kujtojmë këtu, kohën kur salla e teatrit “A. Moisiu “ mbushej plot në koncertet e “Orkestres Simfonike” të qytetit, të enjtet muzikore, koncertet recitale të mësuesve dhe nxënësve të shkollës dhe shumë e shumë koncerte të formacionit të harqeve të qytetit. Unë mendoj se me të vërtetë shijet nuk diskutohen, por ato fare mirë mund të drejtohen. Ndoshta është “sëmundje” e kohës, e komercialitetit mbytës, vrastar për muzikën klasike në vitet pas ’90, tendenca e tepruar drejt gjinive të ndryshme nga klasikja.Pak më shumë mbështetje nga Bashkia, nga shoqata të ndryshme artistike ose jo, dhe jam e bindur se edhe Durrësi do të ketë më shpesh “ netë të muzikës klasike", ndoshta edhe “javë“ të kësaj muzike, pse jo !  

Cilët pianistë shqiptarë e të huaj çmoni më tepër dhe pse?

– Për mua kanë qenë dhe mbeten figura të shquara të muzikës pianistike artistët dhe pedagogët  shqiptare M. Kristidhi, A. Tartari, N.Çashku .   Unë jam rritur me P. I. Çajkovskin luajtur madhërishem nga duart e M . Kristidhit, me F. Shopenin të cilin A. Tartari e shndërronte në tingull hyjnor, me veprat shqiptare, ekzekutuar në mënyrë të shkëlqyer nga N. Çashku. Mund të them se kemi patur një shkollë shumë të mirë pianistike, traditën e së cilës përpiqemi ta vazhdojmë e ta çojmë më tej. Përsa i përket pianistëve të huaj do të veçoja Martha Argerich, Daniel Baremboim, Leonard Bernshtain. 

Ç'këshillë u jepni më së shumti nxënësve tuaj?

 –  Një këshillë? A nuk ndodh që t’u themi fëmijëve atë që mësuesit tanë na kanë thënë shpesh? Punë, punë dhe vetëm punë. “Natyra i shet të mirat e saj vetëm me një çmim, i cili është puna ! “. I qëndroj kësaj thënie të Da Vinçit dhe përpiqem t’ua kaloj edhe fëmijëve të mi. Arti është dashuri, një dashuri ndryshe nga profesionet tjera. Arti është akumulim shpirti, i cili shpërthen në kohën dhe  momentin e caktuar, sikurse në lojën e dashurisë…! Unë jam e dashuruar !