Drejtoria e Tatimeve në Durrës ka nisur procedurat për informimin e të gjithë subjekteve të biznesit të vogël, që, për herë të parë, duke nisur nga 1 prilli do të bëhen pjesë e skemës së deklarimit të TVSH-së.

Drejtoresha e Tatimeve, Valbona Sako, në një prononcim për DurrësLajm thekson se nga 1100 biznese që do të futen në këtë skemë është marrë kontakt deri tani me rreth 600 prej tyre. Inspektorët tatimorë janë paraqitur pranë këtyre subjekteve duke dhënë sqarimet përkatëse dhe duke lënë fletëpalosjet e përgatitura, ku shpjegohet në mënyrë të detajuar e gjithë procedura që duhet ndjekur nga këto biznese të vogla.

Duke marrë shkas nga postimi i një dite më parë i deputetes demokrate Fatbardha Kadiu, e cila deklaronte ndër të tjera se 8000 biznese të vogla rrezikojnë të mbyllen në Durrës si pasojë e aplikimit të kësaj takse të re nga qeveria, drejtoresha Sako nënvizon se janë vetëm 1100 biznese që do t’u duhet tashmë të përfshijnë TVSH-në në kuponat që lëshojnë.

“1100 biznese janë gjithsej që futen në skemë. Të deklarosh se 8000 mbyllen, është e tepërt. Deri tani, vetëm 2 biznese që janë përfshirë në këtë skemë kanë protokolluar pranë kësaj drejtorie ankesë, pasi sipas tyre përfshirja në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar është e gabuar”,- tha Sako.

Drejtoresha e Tatimeve sqaron se dy ankesat e bëra do të merren në shqyrtim dhe nëse bëhet fjalë për gabime, do të procedohet me përjashtimin e tyre nga kjo taksë e re. 

Paralelisht me punën që po bëhet në terren nga inpektorët tatimorë për sqarimin e biznesit të vogël, drejtoresha Sako thotë se pranë Drejtorisë së Shërbimit është hapur një sportel i veçantë, që do të ofrojë asistencë për biznesin e vogël, për të dhënë shpjegime për çdo paqartësi, që do të kenë bizneset.

“Ky sportel do të jetë tërësisht në funksion për të dhënë të gjitha shpjegimet e nevojshme dhe për të sqaruar të gjitha paqartësitë e subjekteve të biznesit të vogël me xhiro vjetore mbi 2 milion lekë”,- tha Sako për DurrësLajm.

Nga 1 Prilli hyri në fuqi skema e re e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, e cila detyron të gjitha bizneset me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë të reja të jenë pjesë e saj.

Aktualisht, pranë drejtorisë së Tatimeve në Durrës ka nisur tërheqja e blloqeve të TVSH-së nga ana e bizneseve, ndërkohë që paralelisht me këtë ata do të bëjnë edhe modifikimet e nevojshme në kasën fiskale, për të përfshirë në kuponin që lëshojnë edhe vlerën e TVSH-së.

Deklarimi i parë i këtyre subjekteve me skemën e re do të jetë në datë 14 korrik, dhe sipas Sakos është një kohë mëse e mjaftueshme për t’i dhënë zgjidhje të gjitha problematikave me të cilat do të përballen këto biznese.

M.B.