Gati një jetë në skenën e spektakleve, Valbona Selimllari nuk e kishte bërë asnjëherë publik pasionin e saj për pikturën, madje pakkush mund ta dijë që e gjithë shtëpia e saj është e mbushur me pikturat që ajo vetë ka bërë gjatë viteve.

E ftuar sot në “Rudina”, në Tv Klan, Valbona ka rrëfyer më shumë për piktuarën dhe lidhjen e veçantë që ka me të, sa herë do që t’i largohet botës me strese, sa herë që kërkon të gjejë një botë tjetër apo sa herë kërkon qetësi shpirtërore. Qysh fëmijë, puna me laps, sidomos në orët e mësimit kur nuk donte të dëgjonte shumë, do të nxirrte patjetër diçka në fund, një portret a një fotografi të parë diku, e sjellë në një formë origjinale dhe sipas stilit të Bobit:

“E kam nisur që fëmijë, që në 8-vjeçare më kujtohet kur isha në mësim dhe nuk doja të dëgjoja shumë, merrja një laps dhe vizatoja. Isha e fiksuar pas princeshave dhe fustaneve të tyre…” – kujton Valbona për fillimet në pikturë. Ndërsa penelin e ka marrë në dorë shumë vonë, madje pas Miss-it, tregon ajo, e nxitur nga miku i saj piktor, Joni Kraja: “Penelin e kam marrë shumë vonë, diku nga ’96, ndoshta edhe më vonë. Joni Kraja më ka nxitur shumë, sepse më thoshte që lapsi dhe peneli janë shumë afër. Ai më shtyu ta nisja dhe ishte shumë interesante. Me kalimin e kohës m’u fut në zemër…” Me modestinë që e karakterizon, Valbona tregon se nuk është piktore profesioniste (ajo i ka vizatuar të gjitha këto?), sepse penelin e merr në dorë sa herë i vjen frymëzimi, e ka gati të pamundur të përfundojë një pikturë nëse nuk e frymëzon diçka: 

“Kam disa punë të papërfunduara… “ – thotë ajo duke treguar edhe të tjerat e përfunduara që ka sjellë në studio. “Është një gjë që ka shumë lidhje me qetësinë, me shpirtin. Unë nuk jam piktore, por kur jam e frymëzuar, arrij ta bëj një pikturë në një kohë shumë të shpejtë…” E pyetur nëse ka menduar ndonjë ditë që pikturat t’i prezantojë edhë në një ekspozitë, Valbona thotë “Jo”, sepse nuk ka ambicie deri këtu: “Mua më pëlqejnë punët e mia dhe më kënaqin, por nuk mendoj se do t’u pëlqejnë edhe të tjerëve. Nuk e kam atë ambicie, nuk e kam menduar asnjëherë që mund të jenë pjesë e një ekspozite”./Class