Valentina Ibi e ka nisur punën në fabrikën e Plastikës në moshë shumë të re. Ajo u regjistrua në këtë ndërmarrje pa mbushur ende 16 vjeç dhe e ndërpreu punën në këtë ndërmarrje pas 25 vitesh.
“Kam qenë fare e re, kur kam nisur punën. Isha 16 vjeçe, madje nuk i kisha mbushur plotësisht vitet. Jam regjistruar në Plastikë në vitin 1969 dhe punova 25 vite. Puna ishte me tre turne dhe përgjithësisht kishte vajza e gra. Reparti i mekanikës, ofiçina etj kishte burra, ndërsa në repartet e tjera burrat ishin me pakicë dhe kujdeseshin për mirëmbajtjen e makinerive. Me tre turne kam shërbyer tek reparti i injektimit, në presat 60 gr dhe 125 gr. Të gjithë ne vajzat në atë kohë u regjistruam në shkollën ekonomike. Edhe punë, edhe shkollë. Ishte detyrim. Pasi u bëra me përvojë kalova në repartin e kopsave, repart që e hapën italianët. Makineritë ishin moderne. Kopsat shiteshin jashtë se ishin të cilësisë shumë të mirë. Në të gjitha repartet rëndësi e veçantë i kushtohej kushteve teknike. Ne punonim me lëndë helmuese. Acetone dhe polisereni kishin ndikim në shëndet ndaj respektonim çdo gjë të shkruar e të thënë. Por edhe ana e sigurimit teknik për ata që punonin pranë makinerive ishte absolute”,- kujton ajo.
Pavarësisht kontrolleve të shumta dhe rregullave të rrepta për sigurinë në punë Ibi kujton se proçesi i punës është shoqëruar edhe me aksidente. “Ka pasur raste që vajza të reja këpusnin gishtat në makineri. Në repartet e rëndësishme dërgoheshin punëtore të kualifikuara”,- thotë ajo për “Dyrrah”. Ndërsa rrëfen se e ka lënë punën në vitet 1992-93, kur ndërmarrja nisi të shkatërrohej, ajo shpreh bindjen se Plastika mund të shpëtohej dhe me pak vullnet të mirë do të kishte qenë funksionale edhe sot. “Kishte nevojë për makineri të reja, por ato mund bliheshin. Jam e sigurtë se kishte një dorë njerëzish të interesuar për ta prishur dhe ashtu bënë. E prishën ndërmarrjen. E shitën, e shkatërruan. Tani nuk të merr malli t’ia hedhësh sytë e jo më ta vizitosh. Prodhimet e Plastikës ishin rekord në treg. Me ata punëtorë të kualifikuar dhe specialistë të zotë Plastika do të ishte e zonja për t’u përballur me mallrat e artikujt e importit”,- përfundon Ibi.