Vali Corleone ka folur për të parën herë në lidhje me bisedën e tij me personin për të cilin ai pretendon të jetë njëri ndër udhëheqësit më të mëdhenj të organizatës terroriste që po trondit botën, ISIS.
KING Corleone ka rrëfyer për gazetën “Monitor” se pas publikimit të videos është intervistuar nga Policia e Kosovës, e cila sipas tij i ka kërkuar Corleones që t’i lusë pjesëtarët e ISIS-it mos t’i bëjnë keq Kosovës. Vali Corleone është shprehur se për këtë video madje është e njoftuar edhe CIA. “Ajo video është e vërtetë.
“Policia është në dijeni për këtë ngjarje dhe për atë video. Por edhe CIA e din këtë gjë. Pas publikimit të videos, policia ka ardhur dhe më ka thënë: King nëse mundesh me fol me ta që të mos i bëjnë keq as Kosovës e as Shqipërisë”, ka thënë Corleone.
Ai u shpreh se dy herë është kontaktuar nga pjesëtarët e ISIS-it dhe se lokacioni i thirrjeve ka qenë nga Siria.
“Dy numra më kanë thirrur nga ISIS-i. Unë kam kërkuar nga ta mos me bo diçka terror në Kosovë dhe në Shqipëri. Gjithçka është reale, lokacioni dihet i personit që më ka shkruar. Nga Siria më kanë thirrur. Për momentin nuk jam në kontakt me ISIS-in”, ka thënë Vali.
Por Vali Corleone ka një porosi për Qeverinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë. Ai thotë se të dy qeveritë duhet që çdo mëngjes t’i dërgojnë lule dhe çokollata Corleones.
“Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet mem sjellë lule dhe çokollata çdo ditë. Duhet të jetë i lumtur populli i Kosovës dhe Shqipërisë që KING Vali Corleone është duke negociuar me ISIS-in për paqe”, ka thënë Corleone për gazetën “Monitor”.
Corleone thotë se pas bisedës që ka zhvilluar me pjesëtarin e ISIS-it, situata në Kosovë është shumë më e qetë.