Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit në Kosovë ka bërë të ditur se është arrestuar i vetëshpalluri Princ, Vali Corleone, pas një mosmarrëveshje me prindërit e tij.

"Po mund ta konfirmoj se ai është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë". Ka thënë Ismet Hashani për Express, ndërsa ende nuk dihet motivi i zënkës me prindërit.

Sipas policisë Vali fillimisht është dërguar në psikiatri pasi ka qenë shumë agresiv në momentin e arrestimit, e më pas është dërguan në paraburgim.

Express nga burime të sigurta pranë familjes së Valit dhe policisë, ka mësuar se dy prindërit e Valit, shtetasit me inicialet R.S. dhe H.S., e kanë denoncuar atë në polici për ngacmim dhe kanosje.

Mësohet se Vali një kohë ka bashkëjetuar me prindërit e tij e pastaj i ka përzënë nga shtëpia.

Sipas informatave, policia ka shkuar në shtëpinë e Valit për ta shoqëruar për në komisariat për t’u marrë në pyetje, ndërsa ky i fundit ka kundërshtuar dhe ka nisur të bëhet agresiv, duke kërcënuar edhe policët.