Ambasada shqiptare ne France e quajti të pavërtetë, fake news, lajmin e publikuar nga disa media nga Mali i Afrikës të sekuestrimit të dy valixheve diplomatike me 23 milionë euro në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit.
Raportimi i portalit maliactu.net ishte kontradiktor pasi fillimisht thotë se një shtetas nga Mali që shkonte transit në Malajzi u arrestua me 2 valixhe me 23 milionë euro, pothuajse 15 miliardë franga CFA, monedhë e përdorur vetëm në disa vende të Afrikës.
Më pas portali, pa cituar burime, aludon se shuma mund të kishte si destinacion Shqipërinë, që e komenton si vend të njohur pastrimin e parave të pista.
Nga ana tjetër, dy valixhe janë të pamjaftueshme për të mbajtur një shumë kaq të madhe parash.
Pavarësisht pretendimit se shuma e konsiderueshme është kapur në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit, nuk kishte raportime të medieve franceze.
Ndërkohë komentuesit në Facebook të medieve afrikane e kanë cilësuar një raportim të tillë si fake news.
Çështja e lajmeve të rreme është kthyer në një problem madhor për platformat e rrjeteve sociale, të cilat janë duke marrë nisma të ndjeshme për të frenuar përhapjen e një informacioni të tillë.





