Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti i opozitës parlamentare, Halit Valteri ka kërkuar shkrirjen e Avokatit të Popullit, ku ishte e pranishme përfaqësuesja e këtij institucioni, Erinda Ballanca.

Valteri thotë se në 3 vitet e fundit Avokati i Popullit paguhet pa bërë asnjë punë ndërsa i bëri thirrje qeverisë që 1.3 milionë euro të shkojnë për projekte të tjera serioze, si shkolla, kopshte e çerdhe.

“Avokati i Popullit paguhet pa bërë asnjë punë. Në 3 vite është shumë larg pritshmërive. Ka një administratë të politizuar me njerëz partiakë. Avokati i Popullit vetëm emrin ka të tillë. Për dieta, për udhëtime, për qejfe duhet të shkojnë lekët? Këtë nuk duhet ta pranojmë. Nga 2017, zotëria që mbrapa e përdori këtë institucion për qokë, për mikun e tij, sikur e thotë ai për Bashën. Ku ishte Avokati i Popullit kur qytetarët ikën nga sytë këmbët nga varfëria, eksodi ishte me shifra tronditëse. Në realitet Avokati i Popullit nuk është institucion i pavarur. Kur ra tërmeti avokatja e popullit ishte në Bogota të Kolumbisë, por nuk e ndërpreu vizitën. Do të ishte më e udhës të shkrihej dhe një 1.3 mln euro qeveria t’i shpenzonte në projekte serioze dhe mos ia akordojë.”- tha Valteri.