“Barbarët” nuk kanë të ndalur me skulpturat e  vendosura në ambientet publike të qytetit të Durrësit. “Vandalët” kanë thyer sërish dorën e peshkatarit paqësor në sheshin e Sfinksit dhe kanë vjedhur syzet e Xhon Lenonit, aty ku të gjithë turistët ndalen e bëjnë fotografi.

Vetëm një javë më parë u riparua peshkatari, të cilit i këputën kallamin që mbante në dorë dhe tashmë peshkatarit i thyen dorën. Skulptura paqësore e peshkatarit durrsak, që gjuan peshk me sytë nga deti, i ulur në një prej bordurave tek sheshi i Sfinksit, është kthyer në atraksion për mijëra qytetarë e turistë në këtë sezon vere.  

Skulpturat në Durrës janë të pakta, por vit pas viti po i shtohetnga një e tillë qytetit dhe këtë verë u vendos peshkatari paqësor me autor skulptorin Dylber Neziraj.  

Një vit më parë, u inagurua skulptura e Bob Dilan dhe Tina Turnerit, ndërsa më herët u vendos Xhon Lenon i famshëm në lulishten pranë Torrës Veneciane.   

Nëse do të dëmtohej ndonjë skulpturë e Mikelanxhelos në Itali, do të konsiderohej një skandal i madh, nga mbarë opinioni publik.

Në qytetet e famshëm Italianë,( që janë komshinjtë tanë më të afërt) në Firencen e Mikelanxhelos, në Veronën e Romeos e Zhulietës,  në Romën e lashtë me koloseun, skulpturat nuk janë dëmtuar ndonjëherë, ashtu sikundër ndodh në Durrës.

E vetmja që ka shpëtuar deri më tani është Tina Turner, sepse duke filluar nga gladiatorët,kokës së Sabri Tuçit, filarmonikës së Bob Dilanit etj, janë dëmtuar herë pas here, nga persona ende të paidentifkuar. Apeli për të gjithë qytetarët është:- “ Mbrojeni pronën publike, e në veçanti këto skulptura që janë edhe atraksion turistik për qytetin e Durrësit”.

K.H.