Nga Gladiola Busulla
DURRËS, 3 tetor 2014 – Mbrëmë në emisionin “Opinion” të gazetarit të mirënjohur Blendi Fevziu qëndronte në sfond, e palëvizshme një vandalizëm, fjala“marrveshje”. Po, po pikërisht vandalizëm; sepse të shkatërrosh gjuhën ka të njëjtën peshë me barbarinë e treguar ndaj momunenteve të artit dhe të kulturës. Marrveshje në shqipen standarde, (kujdes standarde dhe jo standarte) duhet shkruar marrëveshje, pasi ë-ja është e ngulitur fort në trup të fjalës, edhe pse gjatë shqiptimit rrëgjohet. (Nëse dikush do ta vërtetojë këtë, le t’i referohet një miku të besuar siç është “Fjalori i shqipes së sotme”.)
Nuk kam asgjë as me të nderuarin Blendi Fevziu, as me emisionin e tij, përkundrazi e vlerësoj shumë për aftësitë e tij si gazetar; është absolutisht ndër më të preferuarit e mi, por do t’i lutesha që të mbante një qëndrim më serioz ndaj gjuhës shqipe dhe të tregohej më kërkues ndaj asistentëve të tij. Kjo lutje u drejtohet të gjithë punonjësve të medias.
Mangësitë në shqipen e shkruar, prej kohësh i hasim kudo: në titra televizive, në libra, në gazeta, në revista, në fjalime politikanësh, në dokumente zyrtare, shkresa të protokolluara, në tabela të zeza, në tekste shkollore e universitare. Mund të vazhdoja dhe më tej.
Besoj se ka ardhur koha që t’i rikthehemi seriozisht rregullave të drejtshkrimit, të pikësimit dhe të gramatikës së shqipes. Madje mediat, institucionet dhe politikanët që s’i respektojnë ato, le të gjobiten për dëmin kakofonik që u sjellin shqiptarëve.
Duke mos respektuar parimet e drejtshkrimit të shqipes, ne mohojmë vlerat kombëtare, hedhim poshtë themelet e ekzistencës së gjuhës sonë, duke treguar kështu mungesë kulture, intelekti e qytetërimi. E si mund të pretendojmë nga nxënësit e studentët tanë të zhvillojnë të menduarin kritik dhe të përvetësojnë shkrimin akademik, nëse ata nuk njohin rregullat elementare të drejtshkrimit?!
Një këshillë miqësore: “Mos e ndani nga dora fjalorin shqip-shqip”.
Në ditë të tilla është po aq i rëndësishëm sa “Bibla” apo “Kurani”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





