TIRANE – Rezultatet e Censusit të publikuara gjatë ditëve të fundit kanë nxitur reagime të ndryshme nga të gjitha krahët e politikës. Një ndër politikanët që ka kundërshtuar ashpër rezultatet e Censusit, sidomos përsa i përket deklarimeve mbi etninë dhe besimin fetar, është kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Dule, në një intervistë për revistën javore “Java”, shprehet me një gjuhë goxha të ashpër për ata që ai i quan autorë të Censusit e që i cilëson “manipulatorë, por edhe provokatorë të realiteteve etnike dhe fetare në vendin tonë”.

Gjatë intervistës, Dule ndalet veçanërisht në dy aspekte të veçanta të rezultateve të Censusit, pakësimin e numrit të anëtarëve të minoriteteve dhe uljen e ndjeshme të numrit të besimtarëve ortodoksë. Këta të fundit sipas tij “janë shumëfish i asaj që deklaron INSTAT-i. Sipas kreut të PBDNJ-së Censusi u braktis në masë të madhe nga minoritetet kryesore dhe tashmë partia e tij është në pritje të daljes së rezultateve të regjistrimit të kryer nga Omonia.

“… me përpunimin e deklarimeve të regjistrimit, në proces të pjesëtarëve të Minoritetit Etnik Grek të organizuar nga OMONIA, do të kemi muajt e parë të vitit 2013 një pasqyrë të plotë dhe të besueshme të numrit të tyre”,- thotë Dule.

I pozicionuar gjithnjë si një nga zërat e minoritetit grek në Shqipëri, Dule deklaron për “Java” se nuk ka kauzë çame dhe se partitë e mëdha po flirtojnë me partitë e vogla për të fituar një grusht votash me thirrjet nacionaliste .

“Për çfarë kauze e keni fjalën? Historia nuk ribëhet, nuk negociohet dhe nuk parashkruhet. Status quo-ja në Evropën e sotme është produkt i vendimeve të forcave të mëdha fituese të Luftës së II Botëtore ku fatet e secilit shtet, popull, apo individ u vendosën me kriter qëndrimin e mbajtur në ato momente nga më kritiket për fatet e njerëzimit”,- thotë Dule.

Dukë u ndalur tek mosdhënia e statusit kandidat për në BE për vendin tonë Vangjel Dule fajëson Berishën dhe dëshirën e tij për të kontrolluar gjithçka dhe këdo. Por nga ana tjetër ai nuk harron të shigjetojë edhe PS-në.

“Nëse sot jemi në situatat që ka një influencë përtej normales në kushte demokracie në shumë institucione, kjo është rrjedhojë e kësaj ambiciejeje të tij (Berishës) të njohur nga njëra anë dhe e realitetit të një cikli betejash politike të padhëna ose të dhëna përgjysëm nga ana e PS. Përse mendoni se jemi ende jashtë vatrës europiane? Thjesht dhe vetëm se nuk votuam tre akte legjislative?”