Vangjel Tavo është emëruar me vendim të Këshillit të Ministrave, Prefekt i Qarkut të Vlorës. Me këtë emërim lirohet nga detyra Flamur Mamaj. Vangjel Tavo ka qenë deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Gjirokastrës, ndërsa i është besuar së fundmi një detyrë të re.
Duket se me këtë vendim po vihet në zbatim edhe plani i publikuar nga media greke “Kathimerini” e publikuar rreth dy muaj më parë, ku thuhej se kryeministri Edi Rama kishte nisur bisedimet për të gjetur një kryetar provizor të Bashkisë së Himarës.
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË VLORËS
Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Flamur Mamaj, prefekt i Qarkut të Vlorës, lirohet nga kjo detyrë.
Vangjel Tavo emërohet prefekt i Qarkut të Vlorës.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Asokohe “Kathimerini” jepte edhe detaje nga një takim mes Ramës dhe Tavos, si dhe tregonte se për këtë është vënë në dijeni edhe qeveria greke. Tavo dhe Rama i mohuan këto lajme, por duket se ish-deputeti po “bëhet gati” për drejtimin e bashkisë së Himarës. Ky vendim vjen edhe pas dënimit me dy vite burg nga GJKKO për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin.