Figura e Vangjel Toçit nuk ishte vetëm ajo e një shkencëtari që punonte për ambiciet e tij, por me një mendje të hapur profesori dha një kontribut të madh në edukimin e brezave të rinj, duke afruar përmes veprimeve konkrete të dhënat historike me faktin , objektin me subjektin, qytetin pa bibliotekë me librin.

“Durrësi vërtet qytet i lashtë, por me njerëz të rinj, sepse ata nuk e kishin idenë e kësaj historie. Disa nuk dinin në atë kohë as të shqiptonin emrin bibliotekë”.

Profesori është një shembull i paarritshëm i punës autodidakte drejt shtigjeve të shkencës, i vetëm por me një këmbëngulje të hekurt.

“U bëra arkeolog, pa studiuar për arkeologji. Nga librat shkova drejt objekteve arkeologjike. Ndaj kështu fillova të specializohem në mënyrë autodidakte”.

Profesor Toçi, e konsideron amfiteatrin, një gjigant, duke dëshmuar se u desh puna e pandalshme e rreth 60 puntorëve ditë e natë për të bërë zbulimin e tij.

“U punua për amfiteatrin rreth 5 vjet, me rreth 60 puntorë që punonin ditë e natë pa pushim. Pastaj u zbulua ky gjigant…”

Interesante është që profesor Toçi ka bërë studime edhe në fushën e emërtimeve ilire, ndaj fëmijët e tij morën emrat Dorina dhe Plarent.

Për profesorin nuk ka dëshira të parealizuara.

“Kam zbuluar amfiteatrin, nuk kam çfarë kërkoj më tepër, përveç tij me qindra dhe mijëra objekte. Kam qenë i vetëdijshëm dhe krenar për atë që po bëja, prandaj isha gati të përballoja çdo kundërshtim të atyre që nuk e donin këtë zbulim…”

Dhe ditët pas zbulimit më të madh të jetës së tij dhe qytetit, profesor Vangjeli i kaloj duke lexuar, duke lënë pas mijëra e mijëra faqe studime.

Kjo bisedë në kohë me profesorin ndoshta na bënë edhe njëherë të mendojmë se cilët jemi për nga historia dhe çfarë duam të bëjmë me të.

H.H.