DURRËS, 7 maj 2013– Kanë kaluar vite, që nga çasti kur u nda nga jeta, në një ditë jo të ftohtë dimri, po mbetet pjesë e jetës së qytetit: të djeshmes dhe të sotmes së tij. Këto ditët e fundit, teksa Muzeu Rajonal Arkeologjik i Durrësit ka nisur të shfaqë një fasadë të rikonstruktuar, nga investimi i vonuar për shkak të problemeve me fondet dhe ende i padorëzuar, përtej çdo afati të deklaruar, emri i Vangjel Toçit ka nisur të diskutohet në biseda qytetarësh dhe intelektualësh. Teksa sheh gjithfarë emrash që shenjojnë rrugët në të gjithë qytetin, deri te berberë e kasapë, apo te “Puhitë e detit” në lagjet më të largëta të tij, asgjëkundi nuk ndesh emrin e tij.
Toçi njihet gjerësisht, si babai i arkeologjisë shqiptare, themeluesi i Muzeut Arkeologjik, Bibliotekës Publike, Galerisë së Arteve Figurative etj. Emri i tij lidhet me një nga monumentet më madhështorë të antikitetit në të gjithë rajonin, Amfiteatrin e Durrësit, një nga krenaritë e mrekullitë e qytetit. Shumë fëmijë sot mbajnë emra ilirë që Vangjeli arriti t’i mbledhë nga mbishkrimet e varreve antike, duke na ofruar emrat e të parëve dhe mundësinë për t’i trashëguar ato.
Duke vlerësuar këtë kontribut të çmuar, janë të shumtë ata që mendojnë se figura e tij do të nderohej dhe përjetësohej përmes dhënies së emrit të një prej muzeve më të rëndësishëm arkeologjik, që mbart dëshmitë e shkëlqimit mahnitës të Dyrrahut të lashtë. Dëshmi që vijnë deri në ditët e sotme dhe falë përkushtimit, pasionit dhe dokumentimit të tyre nga i mirënjohuri Vangjel Toçi.
Shpirti intelektual dhe puna e palodhshme e tij u shndërruan, pas Luftës së Dytë Botërore, në gurë themeli për evidentimin, nxjerrjen në dritë të trashëgimisë sonë historike dhe ruajtjen e vlerave të saj, që ftojnë, jo pa dhembje, të rifitohet ai shkëlqim i humbur. Pothuajse pas çdo objekti të rëndësishëm antik, monument apo mozaik qoftë, është emri dhe puna e tij. Këtë vjeshtë, Vangjel Toçi ka 93 vjetorin e lindjes. Është koha për ta nderuar.
/v.q. Agjencia Lajmeve “Dyrrah”/





