Në prag të stinës së dimrit, rrugët në Durrës janë të shkatërruara në shumë akse të ndryshme. Ndërhyrjet e bëra nga autoritetet publike e private, por edhe amortizimi si rezultat i rritjes së qarkullimit me makina, kanë bërë që shumë akse të paraqiten të degradauara.
Rrugët kryesore dhe ato dytësore, pa përmendur rrugicat e lagjeve, të cilat janë tërësisht të dëmtuara, kanë nevojë për ndërhyrje urgjente. Qytetarët paguajnë taksa, paguajnë detyrime, shoferët paguajnë taksë qarkullimi, por taksat e tyre nuk shkojnë aty ku ata kanë nevojë.
I pyetur nga DurrësLajm në lidhje me shqetësimin që ngrenë banorët dhe drejtuesit e automjeteve, kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, shprehet se institucioni që ai drejton do të ndërhyjë shumë shpejt për rikonstruksionin e rrugëve të dëmtuara.
Shumë prej këtyre segmenteve janë dëmtuar si pasojë e përshkimit nga mjetet e rënda. Por shkaktarët kryesorë të dëmtimit të rrugëve të qytetit janë firma të ndryshme që çajnë rrugët për të futur fibrat optike të internetit, punimet që kryhen nga ndërmarrjet publike që nuk i kthejnë në gjendjen e mëparshme. Banorët dhe drejtuesit e automjeteve bëjnë apel të bëhet rikonstruksioni i rrugëve, pasi janë bërë të pakalueshme dhe po dëmtojnë automjetet e tyre. Situata, sipas tyre, ka vite që qëndron në këtë gjendje alarmante, ndërsa pushteti lokal premton përgjatë fushatave zgjedhore dhe pas përfundimit të tyre nuk riparohen.
K.H.





