Durrës 18 shkurt 2014 – Vangjush Dako do të jetë  kandidati i PS-së  për herë të tretë në bashkinë e Durrësit në zgjedhjet lokale të vitit 2015. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Bulevard” nga burime pranë kreut të bashkisë së Durrësit po edhe të PS-së së Durrësit. Edhe pse duket lajm i “hershëm”, Dako ka nisur tashmë të mendojë për fushatën e tretë dhe njëkohësisht për të realizuar fitoren e pestë radhazi të PS-së në Durrës, në qytetin që mbahet si i djathtë po që ka 14 vite që e fiton PS-ja. Interesimit të gazetës “Bulevard” vetë Dako nuk i është përgjigjur zyrtarisht duke thënë se është ende herët, po ndërkohë burime pranë tij kanë bërë me dije se Dako tashmë ka nisur në heshtje fushatën për të marrë mandatin e tretë në këtë bashki që do ta shënonte atë  si kryebashkiakun e parë që merr tri mandate rresht ndërsa në fakt as edhe dy nuk i ka fituar askush. “Dako do të jetë kandidat për  kryebashkiak përsëri. Nuk ka asnjë arsye që ai të jetë larg kësaj gare. Ai ka mundur ta marrë dy herë bashkinë e Durrësit kur PD ishte në pushtet, ndërsa tani që në pushtet është PS-ja fitorja e tij është edhe më e sigurtë”,- janë shprehur burime pranë tij që kanë theksuar se Dako aktualisht është njeriu që gëzon reputacionin më të madh në PS, po edhe tek votuesit. Nuk mund të ketë kandidatë tjetër përveç Dakos, ai është njeriu që ringriti PS-në e Durrësit nga humbja gërmadhë në fitore, ai është thjesht një “Napoleon Bonopart” i së majtës në Durrës dhe të gjithë shanset janë që ai të marrë një mandat të tretë në zgjedhjet lokale të vitit që vjen. Dako  duket se përveç faktit që është një drejtues i mirë vendor, është edhe një politikan që ka zgjuar dhe ringritur PS-në. Ai është njeriu që po drejton të gjithë reformën politikisht i mbështetur në programin e PS që  e solli në pushtet atë në vitin 2013. Vetë Dako nuk ka pranuar të prononcohet për gazetën “Bulevard”, ndërsa nuk ka mohuar se mund të jetë ai kandidati që do të drejtojë bashkinë e Durrësit për të tretën herë radhazi dhe për të pestën herë si subjekt i PS-së.  Sipas të gjithë gjasave Dako do të jetë edhe njeriu që do të testojë reformat dhe  përkrahjen e PS në Durrës pas fitores në zgjedhjet e përgjitshhme. I paralizuar nga këshilli bashkiak me shumicë të  djathtë, ai ka mundur ta shpërfytyrojë këtë këshill duke e kthyer majtas edhe falë koalicionit me LSI-në, ndërkohë që  i bllokuar për tre vjet nga fondet pritet që Dako të jetë tashmë në qendër të vëmendjes së qeverisë për investime në Durrës, ndërsa vetëm për këtë vit atij i është rritur buxheti me rrethj 25 përqind, ndërsa  fonde të mëdha pritet të jepen nga qeveria për investime të veçanta. Dako nuk ka pranuar të marrë poste ministrore sipas burimëve dhe pse i janë ofruar, për shkak të premtimit që ai i ka bërë elektoratit duke i bërë atyre prezent një program që duket se do të marrë jetë me fitoren e PS-së në zgjedhjet e vitit të kaluar. Dako është njeriu që ka marrë përsipër reformën e PS-së duke qenë se është anëtar i kryesisë së PS dhe njeriu që ka mbështetjen e shumicës jo vetëm politike po edhe qytetare në Durrës. Ai është njëkohësisht edhe njeriu për të cilin PD-ja  është vënë në siklet pasi e ka mundur atë edhe kur të gjithë e kanë vënë “njësh”, ndërsa është kthyer vetë në koeficent të tillë, por duke siguruar një mandat të tretë të sigurtë në rast kandidimi. Burime nga PS-ja kanë bërë të ditur se ai është njeriu i duhur për të  marrë edhe një mandat, ndërsa është njeriu që politikisht ka ringritur PS-në, njëkohëisht është edhe rasti më unikal që ka shmangur çdo lloj paragjykimi në qeverisjen vendore. Sipas të gjitha gjasave Dako do të jetë  kandidati për herë të tretë radhazi i PS-së, ndërsa PD-ja ende është duke kërkuar një kryetar për të gjetur më pas një kandidat. Dako duket i favorizuar edhe për shkak të fitores së të majtës, por edhe të mbështetjes që ai gëzon nga kreu i PS-së Edi Rama.

Burimi: http://bulevardionline.com/vangjush-dako-do-te-rikandidoje-per-here-te-trete-pd-gati-disfaten-e-peste-lokale/