Këshilltarja e PSM-së në Këshillin Bashkiak Durrës, Flutura Kasa, kërkoi në mbledhjen e ditës së sotme, që grupi socialist të reagonte pas disa deklaratave të bëra në media nga ish-nën/kryetari i bashkisë Arbër Braho, në adresë të kryebashkiakes Emiriana Sako.
Sipas Kasës, akuzat janë të pabaza, ndërsa vlerësoi se nuk është gabim që kryetarja aktuale të takohet me ish-kryebashkiakun Vangjush Dako, pasi ai nuk është armik i popullit.
“Është detyra e saj që të takojë Dakon dhe shumë kryetarë të tjerë që kanë qenë në atë detyrë. Nuk është armik i popullit ai, pse e takojmë ne thjesht për të pirë një kafe. Thjesht i them kryetares së bashkisë je në rrugën e duhur dhe vazhdo kështu si je, se je ok”,– tha Kasa.
Kasa tha se grupi i këshiltarëve socialistë duhet të kishte reaguar për të shprehur mbështetjen për kryetaren Sako.
“Nuk kam asgjë kundër grupit socialist, por përderisa ne të kemi dhënë votbesimin na takon që të të mbështesim gjatë të gjithë rrugës që je në atë detyrë”,- deklaroi Kasa.
Në datë 9 nëntor, kryebashkiakja e Durrësit liroi nga detyra nën/kryetarin Arbër Braho, i cili disa ditë më parë, përmes një statusi në rrjete sociale, akuzoi ish-kryebashkiakun Vangjush Dako për vjedhje fondesh publike.
Braho e quajti Dakon, ‘xhuxhi 339’, referuar përgjimeve të dosjes për vjedhjen e votave, ndërsa e akuzoi atë për vjedhje në rastin e autoshkallës së zjarrfikësve, ku disa zyrtarë të bashkisë u prangosën me urdhër të SPAK.
Në deklaratat në media pas shkarkimit nga detyra, Braho e akuzoi kryebashkiaken Sako se takohej çdo dy ditë me Vangjush Dakon dhe merrte direktiva prej tij.
M.B.