Mbyllet pa gola sfida Teuta-Skënderbeu. Takimi i luajtur në “Niko Dovana” nuk u ngjit në asnjë moment në nivelin e duhur, ritmi nuk ishte i lartë, teksa munguan dhe rastet për gol.
Barazimi i tretë radhazi për Skënder Gegën, por ekipi korçar ka nevojë për fitore për të shpëtuar. Uerdi Mara, Elvi Berisha dhe Belhajdi Pusi provuan për Skënderbeun, teksa Teuta iu afrua golit me Ruben Acquah dhe Emiliano Vilën (traversë).
Minutat e fundit ishin tepër emocionuese. Mara dhe Pusi iu afruan golit, të cilin e gjeti Artan Jazxhi për kampionët në fuqi. Ishte minuta e dytë shtesë, por VAR-i anuloi golin për pozicion të parregullt të mbrojtësit durrsak.
Përfundimisht 0-0, me Teutën që ngjitet në kuotën e 32 pikëve në vend të gjashtë. Barazimi numër 11-të i Skënderbeut, që mbyll renditjen me 20 pikë.