Ndërkohë që ekipi i tij përgatitet për çeljen e sezonit të ardhshëm në Premier League, bomberi i ekipit kampion në fuqi, të kampionatit anglez, Jamie Vardy, ndodhet në një vizitë speciale pune, kësaj here jashtë fushës së lojës, për t’u bërë pjesë e “tempullit” të kinematografisë.
Sulmuesi i Leicester City, vijon vizitën e tij në Hollywood, në shoqërinë e bashkëshortes së tij, Rebekah, teksa vazhdon negociatat në lidhje me filmin që po xhirohet, bazuar në historinë tashmë të shndërruar në legjendë, mbi katapultimin e Vardyt, nga një futbollist në ligat amatore, në liderin e kampionëve të Premier League.
Futbollisti 29-vjeçar po bashkëpunon për realizimin e këtij filmi me skenaristin Paul Tamsay, i cili ka merita për realizimin e filmit “The Fighter” i vitit 2010, si dhe producentin Adrian Butchart, i cili punoi për realizimin e filmit “Goal”. Është zbuluar tashmë personazhi që do të luajë në film rolin e sulmuesit të kombëtares së Anglisë. Bëhet fjalë për këngëtarin e grupit “One Direction”, Louis Tomlinson.
Vardy e nisi karrierën e tij tek Stockbridge Park Steelsduke kaluar nga një eksperiencë edhe me Halifax Town dhe Fleetwood Town, para se të bashkohej me Leicester në Championship, për shumën e 1.2 millionë eurove, në vitin 2012. Ai ndihmoi “Dhelprat” që në sezonin e tij të dytë me Leicester, të ngjiteshin dhe të promovoheshin në majat e futbollit elitar. Sezonin e kaluar Vardy dhe Leicester çuditën botën e futbollit, duke shkruar një nga historitë më të rralla, duke fituar titullin kampion në Premier League, me një diferencë prej plot 10 pikësh nga Arsenali i vendit të dytë.
Vetë Vardy realizoi 24 gola në 36 aktivizime, duke fituar kështu një vend në kombëtaren e Anglisë, me të cilën ka shënuar 4 gola në 11 ndeshje, që prej debutimit të tij në 2015.





