Mbi 970 banka ushqimore në Gjermani ndihmojnë ata që kanë pak. Kush dëshmon që është në nevojë, mund të marrë ushqime nga organizatat bamirëse.

Por gjithnjë e më pak kompani dhurojnë për bankat ushqimore, ndërkohë që kërkesa për ushqime sa vjen e rritet. Shkak është inflacioni i lartë, dhe numri i lartë i refugjatëve të ardhur nga Ukraina. Bankat ushqimore tani kërkojnë ndihmë nga shteti.

Shumë të varfër nuk mund ta përballojnë më jetesën gjithmonë e më të shtrenjtë. Kështu për shembull, në lagjen Köpenick të Berlinit. Edhe në pikun e vapës, me mbi 30 gradë celsius, njerëzit rrinë e presin në radhë në diell, në një nga ndërtesat e klubit futbollistik 1st FC Union.

Denise Lauer ka ardhur për herë të parë. Ajo heziton paksa teksa hyn me ndrojtje. “Kam dashur ta provoj, por nuk guxoja”, rrëfen nëna e vetme. “Është bërë gjithnjë e më e vështirë për mua dhe djalin që t’ia dalim mbanë për shkak të çmimeve të larta”.  Sot ajo e gjeti kurajën të vinte. Një shportë me ushqime kushton 1,5 euro.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, çmimet e ushqimeve janë rritur me pothuajse 15 për qind krahasuar me vitin e mëprashëm; Inflacioni është rritur me 7.3 për qind.

Që nga lufta kundër Ukrainës, gjithçka ka ndryshuar për bankat ushqimore

Që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës, një në çdo pesë banka ushqimore përballet me dyfishimin e numrit të klientëve, raportoi së fundmi Shoqata e Bankës Gjermane të Ushqimit. Carol Seele, kryetari i nderit të degës në Berlin-Koepenick, tha për DW se “para luftës vinin për të marrë ushqim maksimumi 340 vetë, ndërsa tani ka mbi 500. Për të marrë ushqime në bankën e ushqimeve, duhet të vërtetosh që je në nevojë.

Tetiana Kudina është një refugjate nga Ukraina. Një djalë dhe një burrë i saj kanë mbetur në Kiev. Ajo vjen në bankën e ushqimit çdo të martë me djalin e saj më të vogël. “Kështu kursej shumë para,” thotë ajo. Ajo takon aty edhe  gjermanë dhe ukrainas, me të cilët mund të shkëmbejë dy fjale: “Kështu e heq mendjen”

Berliner Tafel, banka e parë ushqimore e Berlinit, u themelua në vitin 1993 nga disa gra. Sot bankat ushqimore ndihmojnë mbi dymilonë njerëz. Shoqatat vendore financohen me dhurata: në para, ose në ushqime. Ato ndihmohen nga kompani të mëdha lëndësh ushqimore si Rewe, Lidl ose Aldi. Supermarketet e tyre i dhurojnë ushqimet e tepërta, ose që kanë ndonjë të metë të vogël, të cilat ishin destinuar për t’u hedhur.

Banka ushqimore – për njerëzit e varfër në Gjermaninë e pasur

Bankat ushqimore duan të ndihmojnë njerëzit në nevojë. Një person konsiderohet i varfër nëse ka më pak se 60 për qind të të ardhurave mesatare neto, përafërsisht 1300 euro në muaj. Rreth 13 milionë njerëz konsiderohen të varfër në Gjermani.

Por donacionet ushqimore kanë rënë, ankohet Shoqata Federale e Bankave Ushqimore e pyetur nga DW. Sipas Andreas Steppuhn, kryetari i sapozgjedhur i Shoqatës Federale të Bankave Ushqimore, ka disa arsye për këtë: “Njëra nga arësyet  është se supermarketet përpiqen të mos kenë aq shumë ushqim të mbetur në fund të ditës. Ne e mirëpresim këtë në parim, sepse gjithmonë mendojmë se është mirë kur mbeturinat ushqimore minimizohen. Por kjo shkon në dëm të bankave ushqimore, të cilat  aktualisht kanë nevojë për më shumërewe donacione ushqimore për të menaxhuar rritjen e numrit të klientëve. Përveç kësaj, ka një ndërgjegjësim më të madh midis korporatave dhe klientëve se ushqimi nuk duhet të shpërdorohet.

Kryetari i ri i bankës ushqimore, Steppuhn, i sheh bankat ushqimore të pavarura nga shteti në vështirësi: “Politika duhet të na siguroje disa fonde bazë për te mbuluar nevojat”, thotë ai. Deri tani, megjithatë, nuk duket  se kjo ide mbështetet nga shteti. Përsa është kështu, bankat ushqimore do të mbeten në dorë të donacioneve që grumbullojnë me mundim rreth 60 mijë vullnetarët e angazhuar në to.

Denisa Lauer thotë se do të vijë sërish të blejë në bankën e Köpenick-ut. Për të është një ndihmë e madhe në kohë të vështira. /DW