Në një intervistë dhënë për “Dyrrah” pak para ndarjes së çmimeve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, organizatorja e tij Anila Varfi pranoi faktin se mbështetja financiare e këtij festivali nuk mund të mbështetet më vetëm në supet e pushtetit lokal. Të qënurit një festival ndërkombëtar nënkupton në rradhë të parë një fushatë të vazhdueshme një vjeçare për promovimin e këtij eventi dhe ajo çka shihet në ditët e edicionit të rradhës është fryt i shumë elementëve që ndërthuren fort njëri me tjetrin. “Nëse ne do të mbetemi lokalistë kurrë nuk do të mund të jemi koherent me atë që kinemaja botërore ofron. Arti nuk është lokalist, por është i kudogjendur. Nuk ka hapësira gjeografike, por ka gjuhën e tij që i flet gjithkujt dhe kurdoherë”,- tha Varfi.
Edicioni i pestë i festivalit ndërkombëtar të filmit në Durrës po ul siparin. Si mund ta vlerësoni atë që ai arriti të shpalosë gjatë këtyre ditëve?
Kemi punuar me shumë pasion dhe energji për këtë festival, megjithëse fondet e pakta të vëna në dispozicion nuk na e mundësuan të realizonim një event të përmasave të viteve të shkuara. Në rradhë të parë dua të falenderoj gjithë stafin tim dhe shpresoj që e ardhmja të mund të na e shpërblejë këtë energji.
Shpresoj të kemi thënë atë që duhet përsa i përket Durrësit dhe Shqipërisë, të kemi bërë një festival ndërkombëtar, ndonëse në pamundësi ekonomike. Kemi pasur staf të ngushtë, por me energji të madhe që ndonjëherë e ka tejkaluar numrin fizik të njerëzve. Përsa i përket asaj çka pritej nga Durrës Film Festival përsëri kemi ngelur në po të njëjtin nivel, në atë që qyteti bregdetar ka kërkuar për të sjellë figurat më gjeniale të kinematografisë botërore, siç ishte në këtë edicion Milos Forman, apo Lee Percy, të cilin publiku shqiptar thuajse nuk e njeh fare, por që ishte një dhuratë për këtë qytet dhe për këtë publik që e ndoqi nga afër, filmin e tij “Dreaming America” dhe më pas shijoi komunikimin virtual me të.
Në të njëjtën kohë festivali i këtij viti i rezervoi një hapësirë të veçantë nderimit të dy figurave mjaft të rëndësishme në historinë e teatrit të Durrësit, që në fillim të vitit të ardhshëm feston 60 vjetorin e krijimit. Nderimi i Nikolin Xhojës dhe Vera Urumit, të cilëve ju akordua çmimi i karrierës është një homazh për punën, energjinë, pasionin dhe talentin e këtyre dy aktorëve, por njëkohësisht edhe për trupën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, për atë çfarë këta aktorë kanë transmetuar tek publiku gjatë rrjedhës së viteve.
Tradita e bukur e filluar këtë vit me vendosjen e pllakave me mbishkrimet e emrave të njohur që nderuan me prezencën e tyre këtë festival do të mundësojë që tashmë këta dy emra që kaq shumë i kanë dhënë teatrit dhe kinemasë të kenë një vend nderi përpara këtij tempulli të artit.
Festivali i këtij viti nuk erdhi ndoshta me madhështinë e edicioneve të kaluara, e kjo për shkak të fondeve të pakta në dispozicion. Anila, sipas jush a duhet ta vazhdojë ta mbajë këtë barrë vetëm bashkia e Durrësit?
Sigurisht që jo. Unë e thashë, ne po realizojmë një aktivitet që në strukturë ligjore dhe programore të rregullave të tij nuk është një event vetëm lokal.
Bashkia e Durrësit ka nderin që e lindi dhe i dha udhë kësaj veprimtarie ndërkombëtare, por tashmë përmasat e këtij festivali i kanë tejkaluar kompetencat dhe fuqitë që ka një bashki, qoftë për suport financiar, qoftë dhe për atë çfarë mban mbi shpatulla si imazh dhe publicitet ky event.
Nëse ne do të mbetemi lokalistë kurrë nuk do të mund të jemi koherent me atë që kinemaja botërore ofron. Arti nuk është lokalist, por është i kudogjendur. Nuk ka hapësira gjeografike, por ka gjuhën e tij që i flet gjithkujt dhe kurdoherë.