E kuqja e flamurit tonë kombëtar ka nisur t’i japë një pamje tjetër mbikalimit te Ura e Dajlanit.

Në bordurat e betonit që rrethojnë mbikalimin janë realizuar tashmë grafitet e para me poezi të disa prej poetëve tanë më të njohur si Naim Frashëri, Ndre Mjeda etj.

Aktivisti dhe piktori i muraleve Bledar Çakalli thotë për “DurrësLajm” se grafitet e realizuara deri më tani janë vetëm hapi i parë për transformimin e këtij mbikalimi dhe kthimin e tij në një hapësirë publike ku simbolet tona kombëtare do të shfaqen përgjatë gjithë gjatësisë së tij.
Muralja e parë që pritet të nisë nga puna brenda këtyre ditëve do t’i kushtohet mbretëreshës Teutë, një nga figurat kryesore të historisë së Durrësit dhe Ilirisë.
Nismës së aktivistit Çakalli i janë bashkuar edhe disa të rinj të Durrësit, ndërkohë që apeli i vazhdueshëm i tij është që projektit t’i bashkangjiten sa më shumë qytetarë e biznese për ta shpërndarë më pas këtë iniciativë edhe në lagje të tjera të qytetit.
Grafitet me gjuhë urrejtjeje kishin “pushtuar” mbikalimin e Urës së Dajlanit, ndërkohë që pavarësisht punës së mirë që po bëhet nga të rinjtë, herë pas here ato vazhdojnë të shfaqen në hapësira të tjera rreth mbikalimit.





