– Mungesa e trajtimit shtetëror të menaxhimit të tregut dhe moscertifikimi i prodhimeve sipas premtimit të Ministrisë së Bujqësisë, bën që sot prodhime me të dobëta të kenë në treg avantazhe edhe më shumë se prodhimet bio

 

Nga Mark Brunga

DURRËS, 23 gusht 2014 –  Në periferi të fshatit Zambish të komunës së Lekajt të rrethit të Kavajës, të tërheq vëmendjen një parcelë e madhe prej 5 ha tokë bujqësore, një nga parcelat e para eksperimentale me një varietet domateje, prodhim bio, në pronësi të fermerit të njohur të zonës Qamil Bicerri.

Në të ai ka kultivuar një lloj domateje që rritet në fushë të hapur, varieteti 2200 francez.

Fermeri novator dhe i guximshëm tregon se ka përzgjedhur për prodhim, ndoshta, për herë të parë në vend, një varietet të ri me rendiment të madh prodhimi, si dhe është mjaft i qëndrueshëm pas vjeljes dhe daljes në treg.

Është me shije mjaft të mirë e të veçantë dhe e parapëlqyer nga konsumatori.

Madhësia e kokrrës së domates pas pjekjes së plotë arrin deri në 250-300 gram.

Aq me tepër se janë prodhime bio të kultivuara në fushë të hapur, plot vlera ushqimore superiore ndaj atyre të serave dhe me aromë natyrore, që i bën mjaft të kërkuara nga tregu vendas dhe ai i huaj.

Por për të kapur tregjet e huaja është i nevojshëm një menaxhim më profesional sidomos nga instancat shtetërore.

Drejtoria e Bujqësisë, thotë fermeri Bicerri, na ka ndihmuar mjaft, por për menaxhimin e daljes me tregtarë seriozë ka mjaft vështirësi.

Një nga problemet që ata kanë si prodhues, duke përfshirë edhe fermerët e tjerë të vendit që kultivojnë domaten në fushe të hapur, është edhe konkurrenca e serave që prodhojnë shumë e me cilësi më të dobët, dhe që dalin në treg, sipas Bicerrit, me çmime edhe më të shtrenjta.

Bicerri thekson se, përveç fortësisë së kokrrës së serave, që konkurron prodhimin e fushës, në shumë raste ka ndërhyrje të veçanta me hormone.

Mungesa e trajtimit shtetëror të menaxhimit të tregut dhe moscertifikimi i prodhimeve sipas premtimit të Ministrisë së Bujqësisë, bën që sot prodhime me të dobëta të kenë në treg avantazhe edhe më shumë se prodhimet bio.

Problemi është i mprehtë pasi pas 10 ditësh fermeri Bicerri pret të dalë në treg me rreth 5 tonë domate në ditë, që do të ndeshen me konkurrencë të forte deri sa të ndërgjegjësohen konsumatorët dhe tregtarët e produkteve bujqësore për përparësitë e këtij prodhimi bio.

Bima e domates së varietetit 2200 ka periudhë të gjatë shfrytëzimi, pasi jep produkt deri para fillimit të ngricave.

Lidhur me investimin 3,5 milionë lekë të fermerit guximtar, Fiqiret Cani thotë se ai është agronom dhe prodhues mjaft i mirë, që ka investuar vazhdimisht këto 20 vite duke punësuar edhe forca punëtore nga fshati. Është i zoti dhe di se ç’bën, prandaj beson se siç ka qenë rezultativ me prodhimet e tjera ashtu do të dijë të ketë sukses edhe në këtë ndërmarrje duke bërë që së shpejti në gjurmët e tij të ecin edhe fermerë të tjerë.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/