14 gusht 2013- LSI flet për punësim në administratë sipas ligjit, por nuk ia ka harruar Partisë Demokratike se i hoqi nga puna njerëzit e saj kur doli nga koalicioni. Kështu shtegu për t’u përgjigjur me të njëjtën monedhë deklarohet i hapur.

Madje shpërndarjen e burimeve njerëzore e legjitimojnë si atribut të forcës politike që vjen në qeverisje. Ndaj Petrit Vasili i LSI-së aprovon mënyrën se si do të punësojë kryeministri ardhshëm të interesuarit për punë në administratë.
Legjitimon edhe ngritjen e byrosë së hetimit pranë kryeministrit Rama si një perfeksion të departamentit që ka aktualisht Berisha në kryeministri, sic thotë Vasili.
Deri tani kanë shpallur qeverinë, por kur pritet të shpallen përbërja e saj dhe pozicioni i aleatëve edhe në nivelet tjera , LSI flet për dy sfida kryesore që e majta duhet të arrijë. Shëndoshje të buxhetit familjar dhe optimizëm për biznesin.Demokratët i akuzojnë se ende pa u mandatuar mazhoranca e re nuk po i mban premtimet. LSI pret që opozita të jetë konstruktive dhe i kërkon kritika racionale vetëm pas 9 shtatorit.
Dhe debati mazhorancë-opozitë me Ilir Metën kryetar Kuvendi sipas Vasilit do të jetë ai që i ka munguar Shqipërisë.