TIRANE, 27 mars 2013- Lëvizja Socialiste për Integrim vijon të bëjë apel në drejtim të klasës politike që fushata elektorale të mos zbehë përpjekjet për të ecur përpara në drejtim të anëtarësimit në BE. 

Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili kërkoi që palët politike të ndajnë problematikat e zgjedhjeve nga ato të integrimit dhe tu përgjigjen apeleve të ndërkombëtarëve për të tejkaluar ngecjen në këtë proces. 

“Eshtë problematike heshtja e politikes ndaj apeleve të bëra dje nga komisionari Fyle dhe Kukan lidhur me ngecjen në procesin e integrimit. Po zëvendësohet një prioritet madhor si integrimi me ethet elektorale. LSI do vazhdoje t’i bëjë pareshtur apele të tilla, duke u bërë një me miliona qytetarë, të cilët e presin dhe e duan një hap të tillë për integrimin në BE”- deklaroi Vasili. 

Nënkryetari i LSI-së bëri apel që administrata zgjedhore të mos përfshihet në fushatën elektorale, duke lënë pa zgjidhje problemet e qytetarëve. 

“Ne jemi të shqetësuar për shpërqëndrimin energjisë të pavend të administratës e cila duhet të jetë për të shërbyer qytetarëve. Bëjmë thirrje që administrata të rikthehet në problemet shtetërore dhe të ekonomizohet fuqia elektorale në mënyrë që kjo fushatë të mos u krijojë probleme artificiale qytetarëve në vend të zgjidhjeve të problemeve” – u shpreh Vasili.