TIRANË, 16 shkurt 2013 – Nënkryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Petrit Vasili e ka cilësuar miratimin e djeshëm të planin urbanistik të Tiranës si një moment të rëndësishëm për jetën e qytetit.  Gjatë një pronocimi për mediat Vasili ka deklaruar se tashmë të gjithë grupet e interesit do ta kenë të qartë se cili do të jetë zhvillimi në perspektivë i qytetit.

“Besojmë se momenti më delikat ka qenë miratimi në KKT dhe u kapërcye me sukses dhe normalisht qytetarët e Tiranës kanë një ide se cila është e ardhmja e qytetit të tyre, njerëzit e biznesit dinë se cilat janë mundësitë e ambiciet e tyre brenda kufijve të një zhvillimi në perspektivë të qytetit. Plani me qëndrueshmërinë që garanton por edhe me mundësitë konkrete për të shumëfishuar sipërfaqet e gjelbëruara i ka dhënë përgjigje edhe këtij problemi shumë të rëndësishëm, edhe nga pikëpamja sociale por mbi të gjitha shëndetësore dhe për të ardhmen e breznive të reja që lindin e rriten në qytet, pse jo edhe për ata që në moshë të shtyrë kalojnë vitet e tyre në këtë qytet dhe ku vulnerabiliteti i tyre kërkon një qytet gjithnjë e më të shëndetshëm”,- tha Vasili. 

Njëkohësisht nënkryetari i bashkisë nënvizoi se plani i miratuar një ditë më parë do të jetë një investim afatgjatë për qytetin dhe zbatimi i tij në muajt në vazhdim do të detajojë më hollësisht ndryshimet që do ndodhin në çdo pjesë të qytetit.