Tiranë, 12 prill 2014 – Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaroi sot se shteti disponon të gjithë instrumentat e duhur dhe duhet t’i përdorë për të zbardhur çështjen e mesazhit të Ministrit Tahiri të zbuluar nga deputeti, Flamur Noka në mbledhjen e djeshme të komisionit të hetimit për policinë e shtetit. Për Vasilin ajo që bëri opozita i përket një stili shumë të urryer për shqiptarët, stili i politikës që bëhet nga vrima e celësit.
“Instrumentet që disponon shteti ligjor për të zbardhur këtë pjesë që është në interesin tuaj janë atje, të cilat mund të përdoren. Kurdoherë që lidhet me këtë çështje, do të duhet të mbahet një qëndrim i caktuar në Parlament. Ne jemi atje dhe sigurisht që do të dekurajojmë politikën që bëhet, siç e thashë, nga vrima e çelësit, por do të promovojmë atë politikë që bëhet hapur, në mënyrë transparente dhe që vë çdo gjë, strukturat, rendin dhe transparencën në funksion të qytetarëve. Ky është qëndrimi ynë i qartë dhe i prerë politik për çështjen”,– tha ai.
Nënkryetari i LSI nuk ka kursyer edhe thirrjet në drejtim të opozitës për ndaljen e sulmeve ndaj policisë së shtetit, duke theksuar se komunikimi jo i moderuar i përdorur prej saj po rrit tensionet në vend.
Në konferencën për mediat, kreu i grupit parlamentar të LSI-së foli dhe për reformën administrative-territoriale, ku deklaroi se mazhoranca nuk i ka vënë asnjë ultimatum opozitës. Referuar deklaratës së Ruçit gjatë seancës plenare të së enjtes,Vasili sqaroi se në logjikën e mazhorancës, opozitës i është lënë kohë e mjaftueshme për tu ulur dhe diskutuar rreh kësaj çështje.
“Askush në mazhorancë, as nuk ka lëshuar dhe as nuk është në logjikën e kësaj mazhoranca, që të bëjë ultimatume. Logjika e ultimatumit është i huaj për ne. Ne kemi dhe i shërbejmë logjikës së përgjegjshmërisë politike, që do të thotë, kemi lënë një hapësirë shumë të gjerë politike, shumë të bollshme në kohë, por dhe mekanizma institucionalë. Kemi lënë një hapësirë shumë të gjatë në kohë, sepse ju e dini që ka një kohë shumë të gjatë që opozitës i bëhen ftesa pa fund për t’u bërë pjesë e komisionit të reformës administrative-territoriale. Në raport me këtë interes duhet të vendoset edhe opozita duke harruar tabelat e rezultateve elektorale, duke shkuar tej mendjengushtësisë dhe patetizmit të tejkaluar në kohë që nuk ngjan as me atë të 20 viteve më përpara. Ky ishte qëndrimi ynë, i cili nuk ka lidhje me ultimatumin, por ka lidhje me përdorimin e kohës dhe të hapësirës brenda niveleve dhe mundësive që politika ofron”,– u shpreh Vasili.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





