TIRANE, 30 mars 2013– Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar sot se salla e parlamentit është kthyer në një studio televizive ku bëhet debat elektoral dhe jo në institucion ku miratohen ligjet. Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili është shprehur se salla e Kuvendit po shpërdorohet për qëllime partiake. “Parlamenti i ngjan më shumë një studio televizive ku bëhet debati elektoral dhe nuk i ngjan një institucioni ligjvënës të vendit. Moskontrollimi i emocioneve paraelektorale ka bërë që të shpenzohen orë e orë të tëra në Parlament dhe të mos miratohen ligje të cilat janë të rëndësishme për vendin” është shprehur Vasili.
Gjithashtu nënkryetari i LSI-së bëri apel për kthimin në normalitet dhe disiplinim të rregullores së Kuvendit ku respekti i rendit të ditës mos të zëvendësohet nga debati i shterpë elektoral. “Është vërejtur se Parlamenti po jeton një klimë sikur është në ikje, dhe jo si institucion me rëndësi që duhet të kryejë punën me korrektesë dhe eficencë deri në ditën fundit. Ne bëjnë apel për kthim në normalitet dhe disiplinim të rregullores kur respekti i rendit të ditës mos të zëvendësohet nga debati elektoral. Debati elektoral ka vend, por ka të bëjë me ligjet e integrimit të gjithë pranuara nga opinioni publik dhe për të ecur në rrugën e integrimit në vend të deklaratave shterpë”, shtoi më tej Vasili.
I pyetur për dekretet e Presidentit për tre anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, Vasili ka pranuar se ai ka qenë një debat spekulativ mediatik, pasi nuk ka pasur votim. “Dekretet nuk kanë qenë futur në axhendë. Në lidhje me to ka pasur komente jo mbështetëse nga përfaqësues të PD që kanë shprehur votën kundër, si Alibeaj, ndërkohë që kur të vijnë në sallën e kuvendit do të jenë për shprehje me votë”- ka thënë ai. Vasili nuk ka bërë asnjë koment nëse LSI do i votojë apo jo kandidaturat që tashmë janë të njohura. “Në momentin që do të kemi një ofertë do të shprehemi me votë, nuk paragjykojmë që tani” tha ai.





