Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ishte mëngjesin e sotëm i ftuar në emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora, ku nuk i ka kursyer batutat në adresë të kryeministrit Edi Rama.

Teksa shpjegonte se si politika në tërësi dhe kryeministri në veçanti kanë folur gjatë pandemisë më shumë se profesionistët, si një mjek prej afro 4 dekadash, Vasili tha:

“Unë 38 vite në profesione, ai fliste më shumë. Si themi ne nga Vlora. “Unë vija nga Qabeja, ai më thotë u bëra haxhi”.

Sipas Vasilit, kur politika i imponohet shkencës, quhet inkuizicion.

“Po ta pyesësh Silva Binon ose Pëllumb Piperon që e kam patur bashkëpunëtor dikur kur isha ministër… Po t’i pyesësh të gjithë këta, nuk mbaj mend sa beteja të vërteta kam kaluar. Duhet të flisnin këta, i pëlqen ose jo politikës. Sa herë në këtë punë politika imponon shkencën, ky është inkuizicion”, tha nënkryetari i LSI-së, ndërsa në fund të intervistës, nuk harroi të përsëriste apelin e tij të përhershëm:

“Testo-gjurmo-trajto. Nëse nuk testojmë shumë dhe nuk i trajtojmë siç duhet, po i ikëm kësaj triade, maska ka 0 vlerë.”