Qëndrimi i kryeministrit Edi Rama ndaj çështjes së Akademisë së Shkencave, vazhdon të ngjallë reagime nga figura të njohura të politikës. Së fundmi në një postim në rrjetin social facebook, ka reaguar kryetari i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili. Vasili thotë se kreu i qeverisë parazitoi për 4 vite, dhe tani u kujtua për Akademinë e Shkencave.
Postimi i plotë
Kryeministri parazitoi katër vjet, tani u kujtua për Akademinë e Shkencave.
Kryeministri i ri nuk po lodhet së diskredituari kryeministrin e vjetër të zgjedhur në 2013-n. Kryeministri i vjetër, si turist i thekur që ishte, nuk pati asnjë minutë kohë për të humbur me reformimin e Akademisë së Shkencave. S'pati asnjë minutë kohë as të lexonte çfarë sugjeroi komisioni i ngritur prej tij në 2013-n, për reformimin e akademisë.
Katër vjet vegjetoi kryeministri i vjetër dhe tani u ngrit ky kryeministri i ri dhe po i tregon vendin atij shkollëpaktit, që e la reformimin e akademisë në mes të udhës. Kryeministri u kujtua vetëm ditën e zgjedhjeve dhe e kërcënoi me rrethim, me nxjerrje nga godina dhe me heqje të parave.
Çdo shfajësim për këtë parazitizëm shtetëror kryeministror katërvjeçar është turp, vizion që urren shkencën dhe inkuizicion obskurantist mesjetar.





