Në ditën e dytë të vitit të ri 2020, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka rikthyer vëmendjen te minishengeni ballkanik. Në një postim në rrjetin e tij social Facebook, Vasili shkruan se që në ngjizje të tij minishengeni ka lindur si një model i deformuar qoftë nga ana politike, historike, shoqërore dhe morale.
Për Vasilin eshtë një model i deformuar sepse përdor një analogji propagandistike dhe për të krijuar thjesht efekt mediatik me Marrëveshjen e Shengenit dhe ku as në formë as në përmbajtje, as në parime dhe as në realitetet, nuk kanë asgjë të përbashkët me Shengenin.
“Minishengeni për të cilin po flitet kaq shumë, që në ngjizje të tij lindi si model i deformuar qoftë për nga bazamenti politik i tij, por ashtu edhe nga ai historik, shoqëror e moral. Eshtë pa asnjë dyshim kryekeput një model i deformuar sepse përdor një analogji propagandistike dhe për të krijuar thjesht efekt mediatik me Marrëveshjen e Shengenit dhe ku as në formë as në përmbajtje, as në parimet dhe as në realitetet, që i shoqërojnë Minishengeni lidhet me Shengenin aq sa errësira me ditën sepse skanë asgjë të përbashket me njeri tjetrin. Nismat rajonale do të ishin një lajm i mirë nëse ato do të zgjidhnin konfliktet e mosmarrëveshjet,por Minishengeni, si model i deformuar,i lindur mbi logjikën e përjashtimit dhe jo të gjithëpërfshirjes është thjesht një model i deformuar, që abortoi ende pa nisur”, shkruan Vasili.
Ai thekson se përjashtimi i Kosovës që në zanafillën e tij në Novi Sad dhe pjesëmarrja gjysmake e pjesëmarrësve në tavolinë rrëzonin përtokë parimin e gjithëpërfshirjes që duhej të ishte zemra e procesit.
“Mosnjohja e Kosovës nga Serbia rrëzonte edhe një element tjetër thelbësor, që është barazia e shteteve që ulen në tavolinë. Pra barazia u zëvendesua nga diskriminimi dhe përjashtimi në të ashtuquajturin Minishengen Vuçiç Rama. Deklarimet provokative të Vuçiç për masakrën e Reçakut rrëzuan bazën morale dhe historike të Minishengenit, që në vend të instalimit të reflektimit historik për krimet e së shkuarës,përkundrazi rihapi plagët e vjetra të së shkuarës dhe tregoi se armiqësia e Serbisë ndaj Kosovës mbetet e egër dhe e pandryshuar. Eshtë shumë e qartë se sipas radhës dhe peshës së tyre, ideatore të këtij Minishengeni si model i deformuar demagogjik dhe të dëmshëm, janë dy njerëz të gabuar dhe pikërisht Vuçiç dhe Rama”, shton ai.
Sipas tijj, janë dy njerëz të gabuar sepse çdo marrëveshje,cila do qoftë ajo së pari është sprovë për të realizuar gjithëpërfshirjen dhe së dyti komunikimin luajal mes pjesëmarrësve, ndërkohë që as njeri as tjetri nga dy njerëzit nuk udhëhiqen nga këto parime,por nga e kundërta e tyre.
“Këta dy njerëzit e gabuar janë përpjekur me ç’kanë mundur që duke drekuar a pirë kafe me ndonjë zyrtaruç në Europë e SHBA ti shesin këto, sikur gjoja kjo sajesë e deformuar e Minishengenit ka edhe mbështetjen e tyre pra të SHBA dhe BE. Por qëndrimi i të dërguarit special të Presidentit Trump ambasadori Grenell ishte shterrues kur tha se: “Ne besojmë se, që kjo nismë të jetë e suksesshme, ajo duhet të përfshijë të gjithë në rajon, përfshirë qeverinë e Kosovës”. Dy njerezit e gabuar po bejne gjithka pikerisht ne te kundert te atyre rreziqeve madhore qe SHBA ka paralajmeruar me shume shqetesim ne Raportin “Vlerësimi i Kërcënimeve Botërore” përgatitur nga Komuniteti i Inteligjencës së SHBA, dorëzuar në Senatin Amerikan ne shkurt 2019 ku konfirmohet prere se: “Ballkani Perëndimor pothuajse me siguri do. mbetet në një rrezik të dhunës të nivelit të ulët dhe ndoshta konflikt të hapur ushtarak përgjatë vitit 2019. Rusia do të kërkojë të shfrytëzojë tensionet etnike dhe nivelet e larta të korrupsionit për të penguar aftësinë e vendeve të këtij rajoni për të lëvizur drejt BE dhe NATO.”
Për Vasilin në një moment politiko historik kyç për Ballkanin, kur integrimi europian është objektivi i vetëm themelor për të gjitha shtetet e tij,objektiv ky i mbështetur shumë fort edhe nga SHBA, vendosja paralele e një mostre si Minishengeni është qartësisht minimi i integrimit dhe krijimi i alibive për të devijuar në të kundërt aksin euroatlantik të Ballkanit.
“Të dy njerëzit e gabuar Vuçiç dhe Rama janë thjesht përfaqësues të konfliktualitetit ekstrem brenda vendeve të tyre me opozitat përkatese, janë në konflikt të hapur me raportin e shkatërruar me shtetin ligjor dhe liritë bazike të qytetarëve në Serbi e Shqipëri,janë të pushtuar nga korrupsioni dhe kapja e qeverisjeve dhe dorëzimi përpara tij.
Vuçiç ka edhe një kryeproblem, që është njohja e Kosovës për të cilin ai është vendosur diametralisht kundër orientimit të SHBA dhe BE për zgjidhjen e tij dhe është qartësisht i udhëhequr nga nga politika e logjika e vjetër kokëfortë dhe këmbëngulëse e mosnjohjes,e anashkalimit dhe shuarjes së një çështje të tillë.
Qëllimi i vetëm i Vuçiç është për të defaktorizuar,izoluar dhe mundësisht për ta shpërbërë Kosovënn dhe për të qetësuar tensionet e forta të brendshme politike dhe shoviniste dhe për të siguruar në këtë mënyrë zgjatjen e qëndrimit të tij në pushtet. Po këtij qëndrimi anti Kosovë i është bashkëngjitur pa kushte Rama, i cili ndodhet përballë një situate shpërthyese në Shqiperi”, tha ai.
Edhe Rama deklaron Vasili po zvarritet për të shtyrë ditët dhe orët e pushtetit, i vetëm dhe i urryer nga të gjithë, peng i korrupsionit dhe kriminalizimit të qeverisjes nga krimi i organizuar dhe trafikantët e drogës.
“Për Ramën në një situatë të tillë të dëshpëruar edhe tradhëtia ndaj Kosovës është për të tërësisht e pranueshme boll që ashtu si autokrati tjetër në Serbi të mund të shtyjë sa të mund ditë dhe orë në pushtet. Këta dy njerëz të gabuar duke përdorur një model të deformuar si Minishengeni tentojnë ta përdorin atë për ti bërë makiazh imazhit të tyre të rrënuar,thellojnë konfliktualitetin ekstrem dhe luftënxitës si dhe godasin me thikë pas shpine Kosovën. Thika pas shpine ndaj Kosovës është për Ramën një tradhti, që nuk do ti ndahet dhe nuk mund të shlyhet kurrë, ky është tashmë një fakt e një realitet pa kthim,për të cilin nuk ka asnjë alibi dhe zero mundësi shfajsimi. Minishengeni është thjesht instrumenti anti euroatlantizëm dhe anti Kosovë, ndeërsa dy njerëzit e gabuar janë dy marioneta të etura për pushtet, të cilat telekomandohen nga larg…!! Minishengeni si një model thelbësisht i deformuar do të ketë fatin e pashmangshëm të dy njerëzve të gabuar, që pati për kumbarë të tij”.





