Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë rritur ndjeshëm numrin e vatrave të ndryshme të zjarrit në bashkinë Durrës.
Së fundmi, një vatër zjarri është regjistruar edhe në varreza, ku është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të vënë situatën nën kontroll dhe fikur flakët.
E ndërsa situata është normalizuar, Ndërmarrja e Shërbimit Komunal ka një apel për të gjithë qytetarët, për të evituar raste të ngjashme në të ardhmen.
“Mos ndizni qirinj, sepse bëhen shkak për vatra zjarri!”,- është apeli drejtuar qytetarëve.
Siç duket edhe në pamjet filmike, zjarri ka shkrumbuar një pjesë të bimësisë rreth varreve dhe ka rrezikuar të përhapet edhe më gjerë.





