Itali, 29 korrik 2014 – 22 vjeçari Mateo U., lindur në Shqipëri dhe banues në Firence, me precedentë të shumtë penalë, do t’ja kishte dalë të vidhte një FIAT 500 Abarth, nëse nuk do e tradhëtonte vathi me dizenjo të veçantë dhe GPS-i i makinës.

Mateo hyri në një koncesionar për shitje makinash në Firence dhe vodhi një FIAT 500, të modifikuar me porosi, me vlerë mbi 50 000 euro. I zoti i koncesionares e ndoqi me motoçikletë, derisa Mateo e përplasi motoçikletën në trafikndarësen e rrugës.

Më pas, policia duke pasur parasysh vathin, që kishte në vesh Mateo dhe GPS e instaluar në makinë arriti ta lokalizojë makinën në Bolonja. Policët nxorrën armët, sepse hajduti tentoi t’ia mbathte. Në makinë ishin edhe 3 pasagjerë (një nga Kampania, një nga Siçilia dhe një maroken), që nuk kishin lidhje me vjedhjen. Polica sekuestroi në makinën e vjedhur 3 400 euro, një tablet dhe një e-Book.

Mateo, në vitet 2011-2013, është arrestuar mbi dhjetë herë për vjedhje makinash dhe dyqanesh veshjeje. Për herë të fundit u arrestua në 23 korrik, dhe për të ishte vënë masa e sigurisë detyrim paraqitjeje.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/