Gjatë audiencës tradicionale të përgjithshme të ditës së mërkurë, Papa Françesku foli për mjerimin e popullit të Izraelit në mërgim. Një temë e zgjedhur jo rastësisht kjo, ku ai i bëri kështu thirrje shteteve që të pranojnë emigrantët. "Mua, – tha ai, – më pëlqen kur shoh kombe dhe qeveri që hapin zemrat dhe dyert, por shoh shumë dyer të mbyllura."

E duke kujtuar vuajtjet e Izraelit, Ati i Shenjtë bëri një paralelizëm, e duke dalë nga teksti që kishte përgatitur tha: "Më shkon mendja te Shqipëria fqinje, që pas shumë vitesh persekutimi e shkatërrimi, ia doli mbanë të ngrihet përsëri në dinjitet e në fe. Kështu kishin vuajtur edhe izraelitët në internim."

Nuk është hera e parë që në audienca të përgjithshme, Ati i Shenjtë përmend Shqipërinë, herë si shembull i bashkëjetesës paqësore mes feve, e herë si një vend me të cilin ka afërsi shpirtërore, sidomos pas vizitës së tij më 21 shtator të vitit 2014. Përmes një apeli emocionues, Papa Françesku u përpoq t’i tregonte botës se, emigrantët duhen ndihmuar në këtë moment kaq të vështirë për ta.

"Hapuani zemrat dhe dyert tuaja njerëzve, që presin në kufi në mes të shiut e të të ftohtit, e që ndihen sot si të braktisur nga Zoti," – ishte thirrja e Atit të Shenjtë për kombet e prekura nga kjo krizë.