Katër raste të reja me Covid-19 iu shtuan listës së të infektuarve në Durrës këtë të mërkurë.

Nga burime zyrtare, “DurrësLajm” mëson se bëhet fjalë për të gjithë persona kontakti të rastit pozitiv që rezultoi një ditë më parë, banorë në qytetin e Durrësit.

Ditën e djeshme në një familje në qytetin bregdetar, kryefamiljari pas marrjes së tamponit doli pozitiv, ndërsa po vijon hetimi epidemiologjik në terren në lidhje me gjurmimin e infektimit, pasi nuk ka lidhje me asnjë nga dy vatrat e mëparshme në qytet; fasonerinë dhe Kadastrën.

Ndërkohë, nga 4 rastet e reja të evidentuara gjatë 24 orëve të fundit, 3 prej tyre janë familjarë të zotërisë në fjalë, ndërsa rasti i katërt është vatër e re. Për të gjitha këto vatra vazhdon hetimi dhe gjurmimi i rastit.

Ndërkohë nga 14 të infektuarit në Durrës, 2 prej tyre kanë pasur shenja klinike dhe aktualisht janë të shtruar në spitalin Infektiv në Tiranë, teksa gjithë të tjerët ndodhen në gjendje të qëndrueshme të vetëkarantinuar në shtëpi, nën monitorimin e vazhdueshëm të mjekëve të familjes dhe Sektorit të Epidemiologjisë.

Sot është dhe dita me numrin më të lartë të të infektuarve që nga fillimi i pandemisë, ku në rang vendi u regjistruan 42 raste të reja, nga të cilat 21 vetëm në Tiranë, ndërsa po bëhet një apel i fortë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik për të rritur përgjegjshmërinë dhe respektimin e këshillave në lidhje me distancimin fizik, me mbajtjen e maskave dhe me shumë elementë të tjerë të kujdesit personal qoftë edhe të higjienës.

S.L.