16 shkurt 2015 – Ky vit i ri ka filluar dhe po vazhdon me një valë dëbimesh të shqiptarëve, që kryejnë vepra penale në Itali. Gjeografia e këtyre dëbimeve fillon nga veriu i Italisë, si qyteti gjermanofon i Bolxanos e vazhdon deri në Sicili.
Zakonisht të dëbuarit rikthehen ilegalisht ose me pasaporta false në Itali. Ka raste që i njejti person dëbohet deri në 5 herë.
Shqiptari më i fundit i dëbuar është Artin Neziri, 38 vjeç. Ai u arrestua nga autopatrulla e policisë në qytezën e Kricinjanos (Cricignano) në Provincën e Kazerëts. Neziri kishte disa precedentë penalë dhe ishte dëbuar nga Italia më 26 shtator 2014. Dëbimi kishte një afat 10 vjeçar, por Neziri pa mbushur 6 muaj ishte rikthyer ilegalisht në Itali. Ai do gjykohet me gjykim të drejtpërdrejtë dhe ka shumë mundësi, që në vend të një dënimi me burg, gjykata t’i japë një tjetër urdhër dëbimi.
Një tjetër rast i bujshëm është edhe ai i Vilson Vatës, i cili vetëm dy ditë pas dëbimit nga Bolxano i bënte karshillëk Kuesturës, duke komentuar në Facebook-un e mediave lokale, madje edhe të vetë kuesturës.
Ai pretendonte se brenda 48 orëve nga dëbimi kishte mundur të rikthehej në Alto Adixhe (Bolxano), kështu që masa e kuesturës nuk e kishte penguar aspak. Kuestura e Bolxanos u detyrua të bëjë deklaratë zyrtare, që Vata nuk është kthyer ilegalisht në Itali, por thjesht mburrej në Facebook.
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





