Ish-ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias i ka cilësuar si “karagjozllëqe që i bëjnë dëm vendit”, zërat për keqadministrim nga ana e tij të fondeve sekrete të ministrisë.

“Ashtu siç kalojnë nga një komision kontrolli fondet sekrete të Ministrisë së Jashtme, duhet të kalojnë edhe fondet e tjera”, tha Kotzias, që aludon për keqpërdorim të fondeve sekrete nga ana e ministrit të Mbrojtjes, Kammenos.

Por ky i fundit ka deklaruar se në zërin “fonde sekrete”, Ministria e tij ka vetëm 600.000 euro.

Ndërsa duket se kjo çështje është kufizuar në hetimin që nisi prokuroria për “nxjerrje të sekretit shtetëror”, Partia Komuniste greke e ka risjellë në skenë, duke kërkuar interpelancë në parlament.

Në letër – kërkesën drejtuar kryetarit të parlamentit, 5 deputetë komunistë nënvizojnë se fondet sekrete të Ministrisë së Jashtme mbeten jotransparente, pasi komisioni i ligjvënësve informohet vetëm në vija të përgjithshme dhe për shuma mbi 25.000 euro.

“Rrjedhimisht, kontrolli nuk mund të jetë esencial dhe dispozita e ligjit mund të shkelet lehtësisht. Më tej, kontrolli duhet të përfshijë gjithë ministritë”, theksojnë deputetët komunistë dhe rreshtojnë, veç Ministrisë së Jashtme, atë të Mbrojtjes, Ministrinë e Rendit dhe atë të Financave.